Andrea Stefani: Protesta e “Plehrave” kundër Reformës në Drejtësi

Nga Andrea Stefani/E mbetur pa kauzë PD i turret kauzës së shpikur të “plehrave”. Pse ca shoqata ambientaliste janë kthyer në “gjethe fiku” të intrigës berishiste të PD dhe pse protesta për “plehrat” degradon si një input politik kundër reformës në drejtësi për riciklimin e plehrave të politikës..

E mbetur pa kauzë, për shkak të një lidershipi të stërvjetër, PD ka rrëmbyer kauzën e disa shoqatave ambientaliste për ndalimin e importin e mbetjeve të riciklueshme për të cilat, në mënyrë mashtruese, përdor emërtimin me konotacion negativ “plehra”. Nuk është e para herë që PD e bën këtë. Edhe në vitin 2004-2005 ajo i grabiti shoqërisë civile kauzën e ngritur nën sloganin “Nano ik!”. Edhe në 2005 u përpoq të shfrytëzojë kauzën e “armëve kimike” kur Berisha dhe Basha tentuan t’i bashkangjiten protestës së shoqërisë civile por qytetarët i përzunë. Të gjitha këto dëshmojnë se sa i degraduar është lidershipi i PD sa nuk është në gjendje të formulojë një kauzë të vetën që, përveç mbështetjes së verbër të fanatikëve, të gëzojë simpatinë e gjerë të publikut

Nevoja që ka PD për një kauzë që të gëzojë një mbështetje masive harmonizohet, mjerisht, me nevojën kanë disa shoqata ambientaliste që edhe pse, kohë pas kohe, kanë patur kauzat e tyre të drejta, nuk kanë mundur të kenë mbështetje masive. Kështu ato i japin PD kauzën e plehrave, që në rastin konkret nuk është një kauzë e drejtë por një manipulim populist me frikën duke përfituar nga  mos informimi si duhet i opinioinit, ndërsa PD i fal ekologjistëve fanatikët dhe mbështetësit e saj që do mbushin sot radhët e protestës. Kjo do të jetë “shoqëria civile” që do protestojë, në fakt, PD.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ashtu si në rastin e lëndëve kimike, që mësohet se janë zbërthyer në Bari të Italisë pa ndodhur ndonjë Apokalips sikundër ulëritën këtu se do ndodhte, edhe në këtë rast provohet se sa e rëndësishme është të mirëinformosh qytetarët në mënyrë që ata të mos bien pre e një partie  dhe lidershipi që janë të gatshëm të përdorin deri edhe një propagandë terrorizuese për të arritur qëllimin e tyre në luftën për pushtet. Eshtë një tjetër provë nga e cila qeverisja e sotme duhet të nxjerrë mësime për të qenë më e hapur me qytetarët në mënyrë që arsyeja e tyre të mos eklipsohet nga një propagandë mashtruese që ngjall frikë dhe terror në zemrat e tyre.

Swiss Digital Mobile Reklama

Ndërkaq futja në lojë e PD dhe akoma më keq, me profil shumë të lartë e Sali Berishës, e ka devijuar qëllimin e protestës së projektuar nga disa  organizata të shoqërisë civile. Nga protestë për mjedisin ajo është shndërruar në protestë për pushtetin. Tashmë ajo është një protestë e PD që synon të krijojë iluzionin se masat po i shkojnë pas dhe se po vjen ora që ajo të rikthehet në pushtet. Shoqatat e mjedisit, pjesëmarrëse në këtë protestë, do të jenë vetëm “gjethja e fikut” që keqshpërdoret për të maskuar me “shoqëri civile” këtë skenar të stërvjetër që ka vetëm një ethe, pushtetin, pushtetin dhe vetëm pushtetin!

Por nuk duhet harruar se rimarrja e pushtetit nga Berisha kërkohet jo se e ha meraku për plehrat, ligjin për importimin e të cilave ai e ka miratuar katër herë, as shqetësimi për cilësinë e qeverisjes së sotme që është ku e ku më e mirë se ajo e tija që ishte katastrofë dhe la pas gropa dhe piramida katastrofike, por është një pushtet që kërkohet për te bllokuar reformën në drejtësi që kërcënon me ndëshkimin e korrupsionit përfshirë edhe atë të klanit Berisha-Basha. Prandaj ,në thelbin e saj të fshehtë, të maskuar me alarmizmin e stisur për “plehrat”, protesta e sotme do të jetë kundër reformës në drejtësi.

Dhe të vjen keq kur shikon ca ekologjistë që ndërsa protestojnë kundër mbetjeve të riciklueshme po i dalin në krah riciklimit të disa plehrave të politikës që, prej 26 vjetësh, e kanë helmuar jetën e shqiptarëve me korrupsion deri edhe duke vrarë për pushtet. Gazeta Dita

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A veproi mirë Rama me ndryshimet në qeveri?