Anëtari i Kryesisë së PD akuzon Ramën për Ballukun: Parkimi i gabuar në pranga, korrupsioni në liri

Anëtari i Kryesisë së PD, Grigels Muçollari akuzon kryeministrin Edi Rama për standard të dyfishtë ndaj drejtësisë. Sipas Muçollarit, qeveria ka ashpërsuar penalizimet për qytetarët për shkelje të lehta si ndërtimet pa leje, lidhjet e paligjshme apo parkimi i gabuar, ndërsa sot e quan problem paraburgimin kur hetimet afrohen te korrupsioni në nivele të larta. Ai thekson se drejtësia duhet të jetë proporcionale për qytetarët dhe e pakompromis ndaj zyrtarëve që abuzojnë me pushtetin, duke iu referuar rastit të Belinda Ballukut.

Reagimi i plotë

Teksa dëgjoj kryeministrin që kritikon drejtësinë për nivelin e lartë të të paraburgosurve, por edhe analistë që i bëjnë jehonë kësaj kritike, pyetjet që vijnë natyrshëm janë: A nuk ishte vetë Rama ai që kërkonte burg për lidhjet e paligjshme të energjisë? Burg për ujin? A nuk ishte qeveria e tij që ashpërsoi ndëshkimet për ndërtimet pa leje, deri te çatia e hedhur pa autorizim? A nuk u fol për burg për shkelje të masave administrative gjatë pandemisë?

Swiss Digital Desktop Reklama

Dhe së fundmi, a nuk u kriminalizua edhe parkimi i dyfishtë si kundërvajtje penale? Po për protestuesit që kërkojnë ndëshkim për korrupsionin qeveritar, a nuk është Rama ai që kërkon burg? Për vite me radhë, receta ka qenë e njëjtë: ashpërsim penal për shkelje të lehta, retorikë force dhe nënshtrim. Nga goja e Edi Ramës ka dalë fjala “burg” më shumë se nga çdo gardian.

Swiss Digital Mobile Reklama

Tani del dhe ankohet se është tepruar, se është abuzuar. Por nuk ka pendesë për burgjet që ka mbushur vetë. U ndërtua një kulturë ndëshkimi që godiste kryesisht qytetarët e zakonshëm. Burgu u përdor si simbol autoriteti dhe si mjet presioni për nënshtrim përmes frikës. Por sot, kur çështjet penale dhe masat e sigurisë afrohen te nivelet e larta qeveritare dhe te korrupsioni i rëndë, toni ndryshon. Papritur, paraburgimi shihet si problem, si teprim, si shqetësim për standardet. Aty ku dje kërkohej ashpërsi pa kompromis për qytetarin, sot kërkohet kujdes maksimal për pushtetin.

Nuk ka barazi mes një parkimi të gabuar dhe abuzimit me fondet publike. Nuk ka barazi mes një çatie pa leje dhe korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes. Qytetarët nuk duhet të shkonin në burg për shkelje të tilla të lehta, ndërsa zyrtarët që abuzojnë me pushtetin duhet të mbajnë përgjegjësi reale për shkeljet e rënda.

Kur burgu përdoret për të disiplinuar popullin dhe për të ndërtuar imazh populist, por vihet në diskutim kur prek qeveritarët, kjo tregon se pushtetari është kthyer në pushtues; se të flasësh për moralin qeverisës do të ishte humbje kohe, pasi jo vetëm që ka kohë që nuk ekziston, por ka infektuar edhe moralin shoqëror.

Nëse për vite me radhë burgu u shpall zgjidhje për çdo problem të vogël, sot duhet pranuar një e vërtetë e thjeshtë: drejtësia duhet të jetë proporcionale për qytetarët dhe e pakompromis për nivelet e larta. Njëkohësisht, edhe shoqëria e ka detyrimin edhe më të lartë që të reagojë me gjithë forcën e duhur për ta pasur këtë parim vlerë morale të saj. Nëse kërkohet burg për korrupsionin qeveritar, nuk e ka fajin Kodi, por hajduti. Nëse kërkohet shpesh, është sepse vidhet shumë; nuk e ka fajin Kodi.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se me 10 shkurt demokratët do të qëndrojnë në Shesh?