Anija e ”flotës hije” ruse ndalohet në Durrës, BE e futi në listën e zezë
Kapiteneria e Portit të Durrësit i ka refuzuar hyrjen anijes “Hanuman”, pasi gjatë verifikimeve është konstatuar se ajo është pjesë e flotës së mjeteve lundruese të sanksionuara nga Bashkimi Europian për përfshirjen në transportin e naftës ruse. Anija me numër identifikimi IMO 9295048 dhe që mban flamurin e Sierra Leones, kishte kërkuar më 28 gusht të hynte në kalatat e Portit të Durrësit. Sipas të dhënave të administratës portuale, “Hanuman” ishte bosh dhe nuk transportonte naftë apo produkte të tjera drejt Shqipërisë. Kërkesa për hyrje në port lidhej me nevoja të zakonshme të një mjeti lundrues, përfshirë furnizimin me karburant, ujë dhe ushqime, si dhe mundësinë për kryerjen e riparimeve.
Megjithatë, pas kontrolleve të kryera nga autoritetet shqiptare, u konstatua se anija figuron në listën e mjeteve të përfshira në sanksionet europiane ndaj të ashtuquajturës “flotë hije” ruse. Për këtë arsye, Autoriteti Portual i Durrësit vendosi të mos e lejojë hyrjen e saj. “Hanuman” është identifikuar edhe nga Inteligjenca Ushtarake e Ukrainës (GUR) dhe shërbimet partnere si pjesë e rrjetit të anijeve që dyshohet se përdoren për transportin e naftës dhe produkteve ruse, duke anashkaluar kufizimet ndërkombëtare.
Sipas të dhënave të publikuara nga GUR, në shtator 2025 anija transportoi më shumë se 30 mijë tonë naftë ruse nga porti i Novorossiysk drejt Turqisë. Rasti i “Hanuman” vjen në një kohë kur Bashkimi Europian ka shtuar masat ndaj anijeve të konsideruara pjesë e “flotës hije”, të cilat dyshohet se përdoren për të vijuar eksportin e naftës ruse pavarësisht embargove dhe kufizimeve të vendosura nga vendet perëndimore. Edhe pse në momentin e kërkesës për hyrje në Durrës anija ishte bosh, statusi i saj në listën e sanksioneve ishte arsyeja që autoritetet shqiptare vendosën t’i refuzojnë aksesin në port.
KOHA JONË SONDAZH

