Anija ”MOSEL” zbarkon në Durrës, një tjetër hap në bashkëpunimin shqiptaro-gjerman
Anija mbështetëse e Marinës Gjermane, “MOSEL”, zhvilloi një vizitë miqësore në portin e Durrësit, pas përfundimit të angazhimeve të saj në Detin e Kuq dhe në zonën përreth Xhibutit. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, përfaqësues të Marinës Gjermane dhe asaj Shqiptare zhvilluan takime dypalëshe, ndërsa ekuipazhi i anijes vizitoi edhe Tiranën. Në bord u pritën përfaqësues të Forcave të Armatosura Shqiptare, Korpusit të Atasheve Ushtarakë dhe Ambasadës Gjermane.
Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner, vlerësoi vizitën dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e dhënë nga Forcat e Armatosura Shqiptare gjatë qëndrimit të anijes në vendin tonë. Me një gjatësi prej mbi 100 metrash, “MOSEL” është një nga platformat kryesore të mbështetjes logjistike të Marinës Gjermane. Ajo mundëson furnizimin e anijeve me karburant, ujë të pijshëm, ushqime, municione dhe pjesë këmbimi, ndërsa ofron edhe kapacitete për riparime dhe ndihmë mjekësore.
E pajisur me sisteme moderne komunikimi dhe drejtimi, anija luan një rol të rëndësishëm në mbështetjen e operacioneve detare. Pas vizitës në Durrës, “MOSEL” vijoi lundrimin drejt Gjermanisë. Qëndrimi i saj në Shqipëri u konsiderua një mundësi e rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore mes dy vendeve dhe forcave të tyre të armatosura.
KOHA JONË SONDAZH





