Ankimoi arrestin, Apeli francez lë në qeli Ermal Beqirin
Gjykata e Apelit në Amiens të Francës ka vendosur që Ermal Beqiri, një nga figurat kyçe në dosjen e SPAK-ut për tenderat e AKSHI-t, të qëndrojë në qeli, ndërsa procedura për kërkesën e ekstradimit drejt Shqipërisë vijon.
Sipas mediave të huaja, Beqiri kishte kërkuar lirimin, me argumentin se po mbahet padrejtësisht në paraburgim, por kjo kërkesë e tij është rrëzuar nga gjykata. Prokuroria nga ana tjetër kundërshtoi lirimin e biznesmenit, me arsyetimin se burimet e tij dhe licenca e pilotit do t’i lejonin atij t’i shmangej shpejt autoriteteve.
Përballë autoriteteve franceze, më 27 korrik, Beqiri ka deklaruar se kishte gabuar me lartësinë e fluturimit dhe se në momentin kur kaloi mbi central ishte duke folur në telefon me nënën e tij.
Në kuadër të procedurës së pranimit të fajësisë, ai u dënua me një gjobë prej 7 mijë eurosh, një shumë që për këtë person, të përshkruar si milioner, konsiderohet më shumë një episod i parëndësishëm. Por çështja nuk përfundoi këtu. Edhe pse pritej që të lirohej pas përfundimit të kësaj procedure, Beqiri vijon të qëndrojë në burgun e Beauvais, pasi autoritetet shqiptare i kanë dërguar Francës një kërkesë për ekstradimin e tij.
KOHA JONË SONDAZH

