Antikanabisi, nis monitorimi nga ajri i territorit shqiptar
Lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit mbetet një prioritet për qeverinë shqiptare, ndërsa së shpejti, kontrolleve të territorit nga Policia e Shtetit dhe Inspektorateve të ndryshme, do t’i shtohen edhe monitorimi përmes fluturimeve ajrore, mundësuar nga projekti “Sancas” i financuar nga BE. Në Ministrinë e Brendshme u mbajt takimi i radhës së ”Task-Forcës” Qendrore, në kuadër të zbatimit të Planit të Veprimit kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017-2020.
Në mbledhje u diskutua mbi masat e ndërmarra, rezultatet dhe arritjet konkrete të institucioneve anëtare të TFQ-së. Fokus i këtij takimi krahas masave dhe aktiviteteve të kryera si pjesë e detyrimeve, ishin edhe paraqitja e problematikave të hasura, si dhe nevojat për kapacitete logjistike në përmbushje të detyrave të tyre.
Zv.ministrja e Brendshme, Rovena Voda kërkoi bashkëpunim më të ngushtë dhe më intensiv gjatë kësaj periudhe, ndërmjet institucioneve qendrore pjesë e Task Forcës, për të shkëmbyer informacion për raste kultivimi ose trafikimi, si dhe kryerjen e operacioneve të përbashkëta ndërinstitucionale.
Gjithashtu, anëtarët theksuan domosdoshmërinë e një koordinimi edhe më të mirë me qëllim parandalimin në kohë dhe goditjen me efikasitet të çdo rasti të kultivimit të kanabisit. Së shpejti, kontrolleve të territorit nga Policia e Shtetit dhe Inspektorateve të ndryshme, do t’i shtohen edhe monitorimi përmes fluturimeve ajrore, mundësuar nga projekti “Sancas” i financuar nga BE. Dy prej qarqeve më problematike për kanabisin Shkodra dhe Vlora. Më herët, kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi është shprehur se ka qenë mosbesuese ndaj policisë pasi ka probleme sa i përket kultivimit të hashashit në zonën e saj.
Projekti “SANCAS” është një nga projektet më të rëndësishme që mbështet veprimtarinë e Policisë së Shtetit, në luftën kundër krimit të organizuar, me fokus kryesisht kultivimin dhe trafikimin e kanabisit. Gjej vend për të falënderuar Komisionin Evropian që me financimin e këtij projekti, edhe një herë shpreh mbështetjen për prioritetet që ka Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit për implementuesin e projektit. Lufta kundër krimit të organizuar është fokusi dhe prioriteti kryesori i Ministrisë së Brendshme. Mbështetja e projektit “SANCAS”, do të japë efektet e veta. Në kuadër të këtij projekti tashmë janë kryer fluturimet e para.
KOHA JONË SONDAZH

