Anulimi i fondit të BE-së për bujqësinë, Tabaku: Njollë e rëndë, SPAK-u ka nisur hetimet për IPARD

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku ka folur për anulimin nga BE-ja fondin e bujqësisë, IPARD. Ajo u shpreh se ka nisur tashmë hetimi në SPAK, pas dorëzimit të dosjes së OLAF, dhe se është duke u bërë një punë e mirë. Tabaku u shpreh edhe se abuzimi me fondet e BE-së për këtë rast është një njollë e rëndë që i është vendosur institucioneve shqiptare.

“Fondet e IPARD, një situatë e përsëritur kur bëhet fjalë për akordim të fondeve të BE dhe pezullim i tyre. IPARD ishte rasti i tretë dhe bëhet fjalë për një hetim serioz që OLAF ka ndërmarrë. Qeveria shqiptare ka vendosur që koordinimin e të gjitha fondeve ta ketë në zyrën e kryeministrit dhe të drejtohet nga zoti Beqja, që është një hap pas.

Kjo pasi ka një centralizim të shumë funksioneve në zyrën e kryeministrit. Po krijohet një qeveri më vete atje, dhe së dyti i ka hequr një funksion ministrisë. Qeveria ka dështuar që të përfitojë fondet e BE në kapacitet të plotë. Ka preferuar më mirë të japë një koncesione për rrugët, në vend që të aplikonte për fonde për rrjetin e autostradave për shembull.

Dosja e zyrës së OLAF është në SPAK dhe ka nisur një hetim. Kam qenë në kontakt zyrtarisht me OLAF, dhe sigurisht që të dhënat e OLAF nuk do të bëhen asnjëherë publike, por informacionet paraprake bëjnë fjalë për një njollë shumë të rëndë që i është vendosur institucioneve shqiptare. Bëhet fjalë për kosto të larta, projekte që nuk ndodhin aty ku janë iniciuar… Pra kanë dështuar në kontrollin e këtyre fondeve.

Nga 500 mijë euro koncensione, 48% e tyre janë në hetim nga SPAK dhe ne mund të na duket normalitet, por me fondet e BE është një skandal i madh. Hetimi është me të vërtetë serioz dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një pagesë 500 mijë euro, por kthimin pas të të gjitha fondeve që janë alokuar”, u shpreh Tabaku në ”Open”.

SHKARKO APP