Apeli lë në fuqi vendimin, drejtuesi i OFL-së i pezulluar
Gjykata e Apelit Kundër Korrupsionit, në seancën e së enjtes ka lënë në fuqi pezullimin nga detyra e numrit dy të Operacionit “Forca e Ligjit”, Artan Shkëmbi. Vendimi i Shkallës së Parë u kundërshtua prej tij por Apeli e ka cilësuar të drejtë duke e lënë të pezulluar Artan Shkëmbit.
Drejtuesi i OFL-së është hetuar 6 muaj më parë dhe akuzohet për nxjerrje sekreti lidhur me një informacion të kërkuar nga autoritetet gjermane. Artan Shkëmbi, i cili kaloi Vetting-un në muajin shkurt akuzohet nga SPAK-u për veprat penale të zbulimit të akteve dhe të dhënave sekrete si dhe korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike.
Pezullimi nga detyra i një prej zyrtarëve më të lartë të Operacionit Forca e Ligjit me kërkesë të SPAK-ut ka ngritur pikëpyetje të shumta mbi gjithë operacionin dhe efektshmërinë e tij.
Autoritetet gjermane informuan SPAK-un se një oficer i lartë i policisë shqiptare kishte nxjerrë sekretin. Për këtë arsye SPAK-u kërkoi pezullimin e zv/drejtorit të Operacionit Forca e Ligjit, Artan Shkëmbi. Policia gjermane kishte nisur një hetim pasuror për një shtetas shqiptar të përfshirë në aktivitete të paligjshme në Gjermani. Ata kanë mësuar dhe kanë ngritur dyshime ndaj numrit dy të OFL-së, se ai kishte informuar subjektin nën hetim nga Gjermania.