Apeli nxjerr të “pastër” gjyqtarin Osman Aliu

Ish-gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu, i akuzuar dhe i larguar nga detyra për fshehje të pasurisë, fiton pafajësinë edhe në Gjykatën e Apelit.

Pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Tiranë në tetor 2014, ka qenë Gjykata e Apelit që pak ditë më parë ka vendosur pafajësinë e Osman Aliut.

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, veprimet e kryera nga gjyqtari Osman Aliu dhe bashkëshortja, me disa shuma financiare të cilat ua ka dërguar të afërmve të familjes me transferta të vogla të përmuajshme, nuk përbëjnë fshehje dhe as mosdeklarim të pasurisë.

Vendimi i Gjykatës së Apelit është shpallur pak ditë më parë dhe është i formës së prerë, raporton Panorama.

“Gjykata arrin në përfundimin se çështja në ngarkim të Osman Aliut, akuzuar për veprën penale ‘refuzim për deklarim, mosdeklarim, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurisë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë’, duhet të pushohet, pasi mungojnë elementët e veprës penale dhe hetimi i filluar nuk duhet të vazhdojë, kjo për arsye se fakti penal i pretenduar nuk përmbush elementet e veprës penale”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Apelit, datë 2 mars 2016.

Sipas vendimit, konstatohet nga dokumentacioni i administruar se Osman Aliu në deklaratat periodike vjetore 2008-2013, nuk ka deklaruar disa kontrata huaje, por të këto veprime janë publike me dokumentacionin përkatës, i cili është i verifikueshëm në çdo kohë dhe mosdeklarimi i tyre ka të bëjë me neglizhencën dhe mendimin që të gjitha këto veprime janë bërë me dokumentacion të rregullt.

“Në këto kushte, ai nuk i plotëson kushtet për përgjegjësi penale të parashikuara për veprën ‘refuzimi për deklarim, mosdeklarimin, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë’”, theksohet më tej në vendimin e Gjykatës së Apelit Tiranë.

Të njëjtin vendim me argumente të ngjashëm dha për këtë çështje më 13 tetor 2015 edhe Gjykata e Tiranës.

Osman Aliu ishte akuzuar për 41 transferta të kryera si pasojë e vendimit të gjykatës për zgjidhje martese.

SHKARKO APP