Arben Vata: Ali Spahia voton pro Nanos

(Botuar me 17 Tetor 1995 në KOHA JONE)
Nga Arben Vata-
Rishikim të çështjes “Nano” ka kërkuar Unioni Ndërparlamentar i mbledhur në Bukuresht në fundjavë. Rreth 119 përfaqësues nga të gjitha parlamentet e botës kanë shprehur unanimisht shqetësimin për vonesat në lidhje me gjykimin e liderit, për pezullimin e veprimtarisë së Gjykatës së Kasacionit dhe për mbajtjen e Nanos në qeli pas pushimit të akuzave ndaj drejtorit të “Levante Co”. Ky është konkluzioni përfundimtar i rezolutës që konferenca e 94 e Unionit Ndërparlamentar mbajtur këto ditë në Bukuresht, ka nënshkruar për liderin e burgosur socialist Fatos Nano. Në rezolutën e Bukureshtit ndër të tjera thuhet se “këshilli i unionit ndërparlamentar është jashtëzakonisht i shqetësuar nga kombinimi i masave që synojnë mbajtjen në burg të kryetarit të Partisë Socialiste Shqiptare zotit Fatos Nano. Ky këshill është gjithashtu i shqetësuar që plenumi i Gjykatës së Kasacionit që mori në shqyrtim çështjen e zotit Nano përpara shpërndarjes së tij, u pengua padrejtësisht nga vazhdimi i shqyrtimit të çështjes dhe mendon se një gjë e tillë nuk përputhet me praktikat e standardet botërore. Nga ana tjetër ky këshill konstaton se kanë pushuar akuzat kundër zotit Pernjola, drejtorit të Levante Co në Itali dhe gjithashtu beson se dënimi i zotit Nano për përvetësimin e pasurisë shtetërore në favor të një pale të tretë dhe konkretisht të zotit Pernjola nuk qëndron dhe për këtë arsye duhet rishikuar çështja Nano. Në krahasim me Rezolutën e mëparshme të Kopenhagenit dhe asaj të Madridit, rezoluta e fundit në mbrojtje të liderit socialist shënon një hap më pozitiv dhe bën një reflektim më objektiv dhe preciziv të zhvillimeve të fundit rreth kësaj çështje. Sipas nënkryetarit socialist Hajdaraga, pjesëmarrës në konferencë, miratimi i kësaj rezolute tregon edhe një herë se “me veprimet e veta shteti shqiptar ka ndërmarrë një sërë masash të kombinuara për të penguar me çdo mënyrë daljen nga burgu të kryetarit të Partisë Socialiste Fatos Nano. Kjo rezolutë, vazhdon Hajdaraga – e konsideron si të padrejtë pushimin e çështjes “Nano” në Gjykatën e Kasacionit dhe dënon veprimet e qeverisë shqiptare për shkarkimin e kryetarit të saj. Gjithashtu, ajo e quan absurd dënimin e Nanos për përvetësim të pasurisë shtetërore në favor të Levante Co, ndërkohë që akuzat ndaj palës italiane kanë pushuar”. Ndërkohë që këto kanë qenë dhe pikat në të cilat është përqendruar mbrojtja që lideri socialist i ka bërë në Bukuresht kryetarit të tij të pranguar, kryetar i grupit parlamentar të PD, zoti Ali Spahia, ka bërë vërejtje vetëm lidhur me “kombinimin e masave lidhur me vonesat në gjykimin e Nanos”. Këto vërejtje duket se nuk e kanë penguar kryetarin e delegacionit shqiptar, që me votën e tij të jetë në unison me bashkatdhetarët e tjerë. Ende nuk dihet se vota pro e Spahisë përbën një mendim zyrtar të qeverisë shqiptare apo ka të bëjë thjesht me gjendjen emocionale të tij para parlamentarëve botërorë. Siç duket ai do ta ketë patur parasysh që të gjitha rezolutat që votohen në këtë union ju kalohen autoriteteve të vendeve respektive, të cilat duhet t’i zbatojnë rekomandimet e sugjerimet e tij. Në rast se kryetari i grupit që votoi për heqjen e imunitetit të Fatos Nanos 2 vjet më parë ka votuar në kokë të vet, atëherë është e mundur që shumë shpejt ndaj tij të priten pasojat. Por biografia e tij politike tregon se ai nuk e ngre kartonin pa pyetur partinë.
Arben Vata

SHKARKO APP