ARGUMENTET E PLOTA, Meta: Përse Kuvendi aktual nuk ka legjitimetin e duhur dhe të plotë për ndryshime kushtetuese

Presidenti i Republikës Ilir Meta, në një konferencë të posaçme shtypi ka dhënë sot të gjitha argumentat kushtetuese dhe ligjore se përse Kuvendi aktual nuk ka legjitimitetin e duhur dhe të plotë për ndryshime kushtetuese.

Konkretisht, Kreu i Shtetit ka sqaruar se:

ARGUMENTET E PLOTA

· E thekoj, në mënyrë të përsëritur prej gati 1 viti, që Kuvendi i Shqipërisë nuk e ka legjitimitetin kushtetues dhe politik për të realizuar ndryshimet kushtetuese.

· Kuvendi aktual ka vetëm 82 deputetë legjitimë që kanë fituar mandatin nga procesi zgjedhor, dhe ku përfshihen edhe tre deputetët e opozitës të cilët nuk pranuan me të drejtë të dorëhiqeshin pas vendimit të Opozitës së Bashkuar.

· Pas dorëheqjes në bllok të 58 deputetëve të opozitës dhe 124 kandidatëve pasues për deputetë të të gjitha partive opozitare refuzuan të ishin pjesë e Kuvendit, mund të themi se 182 deputetë dhe kandidatë për deputetë të opozitës nuk pranuan të ishin pjesë e Kuvendit të Shqipërisë.

· Edhe pse shteruan të gjitha listat e partive opozitare prej 18 muajsh, edhe sot siç e dini Kuvendi ka vetëm formalisht 122 deputetë nga 140 deputetë që është detyrim i përcaktuar në nenin 64 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë.

· Të gjitha procedurat e parashikuara nga Kushtetuta, Kodi Zgjedhor dhe Rregullorja e Kuvendit nuk janë respektuar në zëvendësimin e mandateve.

· Kodi Zgjedhor në nenin 164 parashikon se:

“Mandati i deputetit, i fituar sipas neneve 162 dhe 163 të këtij Kodi, ndërpritet vetëm për shkaqet e parashikuara në nenin 71 të Kushtetutës.

Nuk përbëjnë shkak për ndërprerje të mandatit marrëveshjet apo deklaratat paraprake individuale apo kolektive për heqje dorë nga mandati. Në rastin e shkronjave “a” dhe “b” të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës, deputeti deklaron në mënyrë publike përpara komisionit përkatës të Kuvendit refuzimin për të bërë betimin ose heqjen dorë nga mandati. Në këtë rast Kuvendi, jo më vonë se 30 ditë, njofton KQZ-në për krijimin e vakancës.”

· Pra Kodi Zgjedhor e ndalon dorëheqjen në bllok nga mandatet.

· Ndërkohë që, asnjë deputet i dorëhequr nuk u thirr përpara ndonjë Komisioni apo nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin për t`u dëgjuar mbi arsyet e dorëheqjes dhe për të deklaruar publikisht heqjen dorë nga mandati, sipas kërkesave të nenit 164, pika 1 e Kodit Zgjedhor.

· Kuvendi kishte 30 ditë kohë për secilin deputet për të realizuar këto procedura, por nuk e respektoi këtë kërkesë të Kodit Zgjedhor, duke nxituar për t`i zëvendësuar mandatet vetëm përmes njoftimeve administrative të Sekretarit të Përgjithshëm.

· Në zbatim të nenit 71/2 “b” dhe 75/2 të Kushtetutës, nenit 164/1 të Kodit Zgjedhor, si dhe nenit 13 e në vijim të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, të gjitha veprimet proceduriale, të vlerësimit dhe vendimarrjes mbi konstatimin e vakancave në Kuvendin e Shqipërisë dhe vërtetimit të kushteve të mbarimit të mandatit për çdo deputet të dorëhequr duhet të ishin kryer fillimisht nga Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin dhe më pas nga vetë Kuvendi i Shqipërisë me vendim në seancë plenare.

· Ndërkohë në kundërshtim me kërkesat e Kodit Zgjedhor dhe Rregullores së Kuvendit, të gjitha veprimet, vlerësimet dhe njoftimet për secilën nga vakancat e shfaqura në Kuvendin e Shqipërisë, të lindura për shkak të dorëheqjes nga mandati i deputetit rezulton të jenë kryer vetëm nga Sekretari i Përgjithshëm me shkresa të thjeshta administrative.

· Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, jashtë kompetencave të tij dhe në kundërshtim me procedurën e kërkuar për çdo dorëheqje të dorëzuar, menjëherë (brenda një periudhe nga 1 deri nga 4 ditë nga dorëzimi i dorëheqjes) ka kryer veprimin e konstatimit të vakancës dhe njoftimin e saj në KQZ.

· E gjithë veprimtaria dhe praktika administrative e ndjekur në këtë drejtim është në kundërshtim me kërkesat e ligjit dhe paraqet tërësisht elementë të pavlefshmërisë absolute.

· Nën këtë regjim dhe praktikë totalisht antikushtetuese dhe antiligjore, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, pas njoftimit të krijimit të vakancës prej Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, edhe pse është njohur me faktin se praktika shkresore nuk përmbante asnjë vendim të Kuvendit të Shqipërisë sipas ligjit, sërish ka vijuar me ndjekjen e procedurave për plotësimin e menjëhershëm të vakancave, sipas rendit zbritës në listat

shumëemërore, duke u bërë kështu pjesë e këtij procesi tërësisht të paligjshëm.

Këto janë disa nga arsyet kryesore dhe thelbësore që i bëjnë ato mandate opozitare të zëvendësuara jo legjitime dhe për të cilat shpesh herë më keni dëgjuar si President i Republikës, ta përmend si fakt që Kuvendi nuk ka legjitimim për të realizuar reforma kushtetuese.

SHKARKO APP