Argumenti i PS: “Drejtësia” e re solli amnistinë! Bushati: Organet e drejtësisë do të garantojnë mosfutjen e parave të pista
Ecuria e reformës në drejtësi dhe injektimi në ekonomi të parave janë 2 arsyet bazë që për PS duhet një amnisti fiskale. Në një intervistë për TV Ora, deputeti Ervin Bushati, shprehet se do të jenë organet e drejtësisë që do të garantojnë mosdepërtimin e parave të pista në ekonomi.
Mazhoranca është e bindur se ka ardhur momenti i duhur për të vënë në zbatim amnistinë fiskale dhe penale, për shkak të ecurisë së reformës në drejtësi, por dhe krizës financiare që ka përfshirë vendin.
“Janë kushtet, kemi një sistem ligjor që i përgjigjet më mirë dhe kemi nj vullnet politik.”
Por a e kanë socialistët, bekimin e opozitave për të ndërmarrë këtë nismë?
“Ne kontratën e kemi me qytetarët dhe jo opozitën, e në shenjë force, mundohemi që të akomodojmë edhe opozitën në tekat që ka.”
Deputeti Ervin Bushati shprehet se do të jenë organet e reja të drejtësisë, që do të garantojnë, mosdepërtimin e parave të pista në sistem.
“Që sot Prokuroria, SPAK, ministria e Brendshme dhe të gjitha institucionet i kanë instrumentat për t’i bllokuar këto para.”
Nga ana tjetër, mazhoranca ende nuk ka menduar për një mekanizëm për futjen e parave të emigrantëve në sistemin bankar shqiptar.
“Teknikalitetet se çfarë do të ndodhë pas miratimit të ligjit dhe duhet pyetur dikush nga ekzekutivi që merret me këto gjëra.”
Në një kohë që projektligji është ende në fazën e konsultimit publik, Bushati shprehet se mazhoranca mbetet e hapur për ndryshime të mundshme, nëse këto të fundit do të kërkohen nga institucionet ndërkombëtare financiare.