Historia e KJ/Armand Shkullaku me 6 shkurt 1993 zbulon dhe publikon skandalin “Arsidi” që tronditi shtetin
Nga Armand Shkullaku
Para disa ditësh në Tiranë arrestohen Drejtori i Bankës Tregtare z. Agron Saliu dhe Nëndrejtori z. Agim Tartari. Këta dy të arrestuar kanë qenë të pushuar nga puna më parë, por nuk dihet se me çfarë motivacioni. Po kështu nuk dihet saktësisht përse u arrestuan dy funksionarët e Bankës. Nënguvernatori i Bankës Kombëtare z. Kristaq Luniku, thotë se ai vetë nuk di ndonjë gjë të veçantë rreth arrestimit, por Guvernatori z. Ilir Hoti duhet të ketë dijeni të plotë pasi është marrë vetë me këtë problem. Z. Luniku shton se denoncimi për dy të arrestuarit është bërë nga Banka Kombëtare e për këtë u organizua një kontroll në lidhje me lëvrimin e borxheve të jashtme. Problemi në fjalë tani i ka kaluar hetuesisë. Pas kërkimesh të shumta se kush e drejtonte hetimin e çështjes më së fundi mësuam se ajo i ishte besuar z. B. Kokoshi hetues edhe për çështjen e N. Hoxhës. Kontaktuam me z. Beqir Kokoshi, kryetar i hetuesisë së rrethit Tiranë dhe zëvendësprokurori i rrethit Tiranë, i cili në mënyrë të prerë u përgjigj: “Unë nuk investoj asgjë për gazetarët”. Z. Kokoshi nuk na lejoi duke thënë se tani për tani ai nuk mund të thoshte asgjë… Me saktësi dihet vetëm që denoncimi është bërë nga Banka Kombëtare në lidhje me lëvrimin e borxhit të jashtëm. Por çfarë mund të përmbajë konkretisht akuza? Sipas burimeve tona jozyrtare, të arrestuarit Saliu dhe Tartari kanë firmosur një çek ku i kalohen 1.200.000 dollarë dy qytetarëve francezë të cilët do të interesoheshin për zhbllokimin e borxhit tonë të jashtëm. Mirëpo ekziston edhe një shkresë e firmosur nga guvernatori i Bankës Kombëtare, z. I. Hoti në vitin 1991 ku i jepet e drejta ekskluzive një personi të huaj të merret me borxhin tonë të jashtëm. Ky person është një farë Nikolas Arsidi! Si qëndron problemi i borxhit të shtetit shqiptar? Në nëntor të vitit 1991, me ndërmjetësinë e Bankës Europiane, Qeveria Shqiptare, nëpërmjet nënkryeministrit të asaj kohe, kishte emëruar si ndërmjetës për borxhin shqiptar, Xhuliano Amato, ish-ministër i financave të Italisë, deputet dhe profesor i së drejtës konstitucionale në Universitetin Ljuis të Romës. Amato, i cili më vonë u bë Kryeministër i Italisë, i shkruante z. Gramoz Pashko:
Romë 13 dhjetor 1991
I dashur zoti Nënkryeministër
Kam marrë vendimin tuaj për emërimin tim dhe dua t’i shpreh Qeverisë Shqiptare, Partisë Demokratike dhe juve personalisht mirënjohjen time. Do të punoj me impenjimin tim më të lartë, me bindjen se është e mundur që Shqipëria të hyjë në një cikël zhvillimi më se të mjaftueshëm për të kapërcyer krizën e borxhit.
Me përshëndetjet më të mira Xhuliano Amato
Ndërkohë Qeveria Teknike e Vilson Ahmetit emëron një tjetër ndërmjetës për borxhin shqiptar, duke zhvleftësuar emërimin e Amatos. Çfarë e shtyu z. Ahmeti të bëjë një gjë të tillë? Si shpjegohet fakti që në vend të personalitetit të konfirmuar të Amatos të emërohen persona krejt të panjohur që vërtiteshin nëpër zyrat e Qeverisë dhe kërkonin të merrnin me qira apo të blinin ndonjë hotel (mbase edhe 15-katëshin në Tiranë)? Xhuliano Amato do të punonte pa pagesë, ndërsa të emëruarit e rinj shpërblehen me 1.200.000 dollarë. Siç shihet kjo është shuma për të cilën thuhet se kanë firmosur çekun të arrestuarit Saliu e Tartari e që u është dhënë dy francezëve. Normalisht sipas praktikës perëndimore, çdo ndërmjetës që niset për të shpëtuar një borxh ose një sasi paraje të humbur, bile edhe për trashëgimi, ka të drejtë të kërkojë 10 për qind të shumës për të cilën lufton. Fakti që ndërmjetësit në rastin tonë kanë kërkuar shumë më pak se 10 për qind të bën të dyshosh për diçka. Po kush janë këta dy francezë të mistershëm? Sipas të gjitha fakteve, lidhjeve dhe burimeve tona, dy francezët e lartpërmendur janë po ata që i dhanë Presidentit Berisha medaljen e kortezisë. Pra bëhet fjalë për z. Nikolas Arsidi (të autorizuarin e z. Hoti) e Laurent Simon. Për dhënien e kësaj medalje, shteti francez nuk ka qenë në dijeni më parë. Dy zotërinjtë kanë ardhur privatisht në Shqipëri dhe nuk janë paraqitur aspak në Ambasadën Franceze, gjë normale kjo për të tilla raste, e cila (Ambasada) përfaqëson shtetin francez në Shqipëri. Gjithashtu Ministria Jashtme Franceze ka marrë vesh për këtë medalje vetëm pasi ishte bërë dhënia e saj. Dy francezët u paraqitën si përfaqësues te klubit të kortezisë franceze dhe thanë se kjo është dekorata më e lartë për njeriun e lirisë në Shqipëri, i cili u vlerësua ndër më fisnikët. Të bën përshtypje fakti se në një ceremoni ku merrnin pjesë edhe Kryetari i Parlamentit Arbnori, Kryeministri Meksi, zotërinjtë Godo, Gjinushi etj. dy francezët japin një medalje që sipas burimeve zyrtare nuk është institucionale e shteti francez nuk ka të bëjë fare. Kjo është një nga ato medalje që francezët i quajnë (medaille de chocolat) ose që e shqipëruar do të thotë medalje limonade, pa vlerë. Thuhet se dy francezët e kishin prurë këtë medalje për z. Ahmeti, por meqenëse ai nuk ishte më kryeministër e mbase nuk kishte gjë në dorë vendosën t’ia japin Berishës. Çfarë lidhje ka midis francezëve dhe Vilson Ahmetit, dekorimit të Berishës e borxhit shqiptar. Ky skandal në lidhje me borxhin shqiptar është tepër i koklavitur dhe ka histori të gjatë e emra të tjerë. Pa dashur të abuzojmë do të mundohemi të hedhim disa versione të mbështetura në fakte të vërteta.
A ka lidhje arrestimi i drejtorit dhe nëndrejtorit të Bankës me çekun që u është dhënë francezëve? Nëse nuk ka lidhje me ta kjo çështje, përse është bërë arrestimi?
Kush e ka të drejtën për të dhënë mandatin për t’u marrë me çështjen e borxhit shqiptar? Përse zoti Hoti ka autorizuar zotin Arsidi?
Nëse ka lidhje me borxhin ku qëndron Qeveria. Po Presidenti? Dhe po kështu në ç’rol ka qenë guvernatori i Bankës Kombëtare? Është e pamundur që të jepet nga një Bankë 1.2 milionë dollarë e për këtë të mos ketë dijeni guvernatori i Bankës.
Cili është qëndrimi i Ministrit të Financave për këtë çështje?
Nëse ai tregohet i gatshëm për të folur rreth kësaj çështje, kjo tregon se ai vetë nuk është përzier.
Fakti që hetimi nuk është marrë ende nga hetuesia e Tiranës, por është ende në dorë të policisë, tregon se drejtori e nëndrejtori nuk janë marrë si të pandehur. Deri tani kanë kaluar mbi 74 orë, si shpjegohet që mbahen të arrestuar jashtë afatit ligjor?
Çështja komplikohet në raportin midis V. Ahmetit dhe francezëve dhe Berishës po me francezët. Por më tepër mundësi ka të jetë implikuar ish-Kryeministri se sa Presidenti aktual. Është fakt se Ilir Hoti e Agron Saliu kanë qenë drejtorë edhe në kohën e Qeverisë Teknike, se Ahmeti e ka ditur që nuk do të ketë më vend në një qeveri tjetër, dhe ai e njihte datën e skadencës së mandatit të tij.
Pak a shumë këto ishin faktet që e shtrojnë në vijë deri diku këtë skandal në lidhje me borxhin tonë të jashtëm ku janë implikuar shumë persona e që duket se është shumë më i komplikuar.
Ku janë sot 1.2 milionë dollarë, cilat qenë arsyet që Berisha pranoi dekorimin e panjohur, përse V. Ahmeti emëroi dikë tjetër dhe nuk pranoi Amaton si ndërmjetës, dy francezët që erdhën në Shqipëri, a blenë diçka, në rast se po, çfarë, e në rast se jo, a i kanë dhënë para ndokujt?
Në numrat e ardhshëm do të mundohemi të paraqesim, fakte, dëshmi të reja, që do të eliminojnë versione të ndryshme për të arritur te një i vetëm që do hedhë dritë mbi këtë ngjarje ende gjysmë të mistershme.
Misteri rreth ngjarjes në lidhje me borxhin e jashtëm të Shqipërisë duket se kërkon ende kohë për t’u qartësuar. Përpara se të hedhim dritë mbi disa versione të reja le të kujtojmë shkurtimisht faktet e mëparshme: borxhi i jashtëm ka bllokuar aktivitetin e bankës sonë; qeveria e stabilitetit cakton Xh. Amato si ndërmjetës për zhbllokimin e këtij borxhi; në Qeverinë Teknike të V. Ahmetit në vend të Amatos caktohet francezi N. Arsidi me një shpërblim prej afro 1 milion e gjysmë dollarë. Ky i fundit i dhuron më pas Presidentit tonë një medalje jo institucionale…
Dhe përsëri drejtori dhe nëndrejtori i Bankës Tregtare vazhdojnë të mbahen në gjendje arresti, ndërkohë që thuhet se në Paris, zoti Nicolas Arsidi është arrestuar në lidhje po me këtë problem. Padia thuhet se është bërë nga pala jonë, megjithatë ky lajm ende nuk është konfirmuar plotësisht. Po cili është Nicola Arsidi të cilit iu besua ndërmjetësia për borxhin shqiptar? Sipas të dhënave që janë paraqitur del se z. Arsidi paska qenë këshilltar i ish-Presidentit francez Zhiskar d’Esteng, njeri i përgatitur, dhe me kredibilitet. Atëherë rezulton se francezi në fjalë mund të ishte i besueshëm profesionalisht për të negociuar me borxhin. Këtu për atë që ka bërë zgjedhjen nuk ka asgjë të keqe, por problemi qëndron se kur u bë kjo zgjedhje përpara apo pasi ishte caktuar Amato, dhe nga kush u bë realisht. Deri këtu nuk mund të flitet për ndonjë trasgresion juridik, pasi Banka Kombëtare ka qenë në sekuestro pavarësisht se borxhi shqiptar i ka takuar shtetit shqiptar. Dihet se borxhi i madh i jashtëm shtetëror që u trashëgua nga sistemi komunist bllokoi veprimtarinë e Bankës Kombëtare. Ligjërisht borxhi shtetëror shqiptar u nda nga Banka Kombëtare Shqiptare në prill të vitit 1992 me ligjin për sistemin bankar në Shqipëri. Në rast se z. Arsidi, për të cilin folëm më lart është caktuar si ndërmjetës nga z. Ilir Hoti do të thoshim se Drejtori i Bankës së Shtetit Shqiptar deri në muajin prill ka pasur të drejtë të interesohej për bankën e tij, sepse të qenit e saj nën sekuestro paralizonte të gjitha operacionet bankare me jashtë.
Gazeta “Zëri i Popullit” botoi të dielën një mandat të firmosur nga z. Ilir Hoti ku i jepet ekskluzivisht e drejta e ndërmjetësimit francezit Arsidi. Ky mandat mbante datën 1 nëntor 1991. Si është realisht problemi i këtij mandati – A ekziston ai me datën në fjalë? Edhe po të ekzistonte me atë datë (nëntor 1991), logjikisht nga se thamë pak më sipër drejtori i Bankës, mund të lëshonte një mandat të tillë për borxhin e bankës së tij. Por a mund të jetë kjo datë e vërtetë? Sipas një arsyetimi të thjeshtë duke parë që zoti Hoti është emëruar drejtor në shtator të vitit 1991 ishte tepër shpejt që ai të ndërmerrte me përgjegjësi të tij një transaksion kaq të guximshëm, afërsisht brenda një muaji pas emërimit si drejtor. Gjithashtu në nëntor të atij viti ka qenë periudha e Qeverisë së Stabilitet dhe Nënkryeministri i asaj kohe z. Pashko deklaron se nuk e ka njohur fare francezin Arsidi, pikërisht në ato kohë kur ky rezulton se ka qenë i ngarkuari i bankës për borxhin shqiptar. Pra siç shihet enigma mbetet ende e pazgjidhur. Dy versionet e mësipërme i japin të drejtë z. Hoti për sa i përket datës së mandatit. Por cila është data e saktë kur francezi ka marrë shumën e dollarëve, e cila nga të dhënat e tanishme del 1.6 milionë dollarë në vend të 1.2 milionëve që kishim sipas burimit të parë. Sipas të dhënave tona jozyrtare rezulton që data e dhënies së shumës të jetë fundi i dhjetorit 1991. Por a dinte z. Ahmeti se për borxhin shqiptar në 20 nëntor të atij viti ishte emëruar Amato? Sigurisht që këtë gjë e ka ditur se Amato u emërua me vendim të Qeverisë Bufi, në të cilën V. Ahmeti ka qenë Ministër. Nga këto të dhëna e analiza të deritanishme, medalja e Presidentit del e palidhur me skandalin Arsidi. E vetmja lidhje është emri i francezit. Në numrin e ardhshëm do të mundohemi të paraqesim një ballafaqim të ri faktesh e opinionesh që është akoma larg zgjidhjes./Armand Shkullaku, botuar me 6 SHKURT 1993)