Armand Shkullaku: Mushka dhe gomerë në vend të autoboteve

(Botuar me 31 Mars 1995 në KOHA JONE)
Nga Armand Shkullaku-

“Serbët nuk na duan ne shqiptarëve. As ne nuk i duam ata, por nuk kemi rrugë tjetër për të jetuar, jemi të detyruar t’i ndihmojmë”.
Jo vetëm në veri të Shqipërisë lulëzon kontrabanda e karburanteve. Shansi për fitime që ofron lufta në ish-Jugosllavi ka bërë që pothuajse të gjitha shtetet ballkanike të përfshihen nga ethet e fitimit. Nafta apo benzina rrjedh drejt Serbisë dhe ashtu si një biznes normal, dikush prodhon, një tjetër transporton, pastaj një tjetër shet për atë që konsumon. Të paktën në Shqipëri sasia më e madhe e karburanteve futet nga Greqia. Për transportin përdoren zakonisht mjete dhe shoferë shqiptarë të cilët rëndom paguhen nga 600 dollarë në muaj. Deri para pak muajsh pika e furnizimit të autoboteve për Shqipërinë, ishte rafineria e madhe greke e naftës në Korinth. Natyrisht që fitimet e kësaj tregtie ishin të mëdha, por qyteti i Korinthit ndodhet rreth 500 km larg Kakavijës, kështu që kjo largësi pengonte furnizimet e shpeshta. Një autoboti të nisur nga Tirana do t’i duheshin të paktën 3 ditë rrugë vajtje-ardhje, pa përfshirë këtu radhën e gjatë disa ditore në pikën doganore të Kakavijës. Por me sa duket dikush ka menduar ta zgjidhë edhe këtë vështirësi. Që prej dy muajsh autobotet me targat e Shqipërisë nuk kanë nevojë të shkojnë deri në Korinth. Ato mbushen me karburant në një qytet rreth 100 km nga kufiri. Përballë rrugës nacionale greke që çon për në Athinë, në anën tjetër të qytetit bregdetar Amfiloqia, mund të shohësh me dhjetëra autobote që presin radhën për t’u furnizuar. Makinat janë me targa të Tiranës, Shkodrës, Gjirokastrës, Përmetit etj. Pra problemi i largësisë duket se është zgjidhur. Fare pranë detit, midis shkëmbinjve në periferi të Amfiloqisë, janë të vendosura prej kohësh cisterna gjigante karburanti. Pikërisht në këto cisterna bëhet furnizimi dhe i autoboteve shqiptare. Kështu shkurtohet mjaft rrugë dhe shpesh qëllon që një shofer brenda një dite të futet në Greqi, të furnizojë dhe të rikthehet në Kakavijë. Më pas, në të shumtën e rasteve rruga vazhdon drejt Shkodrës. Atje bëhet shkarkimi dhe shitja e mallit të lëngët. Të tjerët, tregtarë të mëdhenj apo të vegjël, fillojnë më pas aventurën e shitjes së karburantit përtej kufirit. Nafta, e futur në serbrator të dubluar makinash, në bidonë të vegjël apo fuçi të mëdha, fillon të “rrjedhë” drejt vendit të izoluar nga embargo e OKB. Ky aktivitet ndoshta është i vetmi burim jetese për qindra familje shqiptare. Në zonën e Shkodrës përveç rrugëve tokësore, përdoren edhe varkat e vogla nëpërmjet liqenit. Kontrolli kufitar i shtuar kohët e fundit është bërë pengesë për ata që merren me këtë lloj tregtie. Megjithatë çdo gjë e ka një zgjidhje. Shumë njerëz janë kujtuar të vënë në përdorim mjetin më të lashtë të transportit, kafshët. Gomerët e mushkat kanë pasur mjaft punë veçanërisht në kufirin midis Serbisë e Maqedonisë ku lulëzon trafiku i karburantit duke dhunuar embargon ndërkombëtare ndaj Serbisë. Në pikat e karburantit të ngritura së fundi në këto zona, sheh pothuajse vetëm mushka e gomerë që presin të ngarkohen. Kafshët të papajisura me serbator, kanë vënë shpinën e tyre në shërbim të njerëzve duke transportuar benzinë pa harxhuar karburant. Jo pak herë edhe në Shqipëri është vënë re një fenomen i tillë. Në pikat e kaburantit, midis makinave sheh edhe ndonjë gomar qyqar që pret të “furnizohet”. Ballkanikisht, shumë njerëz po fitojnë nga lufta në ish Jugosllavi. Disa pasurohen e disa arrijnë të jetojnë më mirë. Skena është pothuaj e njëjtë në të gjitha vendet që ndajnë kufirin me Serbinë. Kjo shpjegon edhe ngjashmërinë e gjithë artikujve të botuar në shtypin perëndimor në lidhje me embargon. Përpara disa ditësh në gazetën e njohur franceze “Le Figaro”, gazetari Jan-Slaude Galli përshkruan pikërisht tregtinë e karburantit me Serbinë, nëpërmjet kafshëve, në një fshat kufitar në Maqedoni…
Fshati i quajtur Lozhanë, me popullsi shqiptare dhe me 800 banorë, arrin të mbijetojë vetëm duke shkelur embargon ndaj Serbisë. Afrim Hamedi, tregon se “të gjitha banorët jetojnë në sajë të embargos ndaj Serbisë. Të ardhurat e vetme janë ato që vijnë nga kontrabanda e benzinës”. Afrimi flet, ndërkohë që është duke mbushur bidonët në një pikë krejtësisht të re karburanti, ku presin mushkat e tij për t’u ngarkuar. Të dyja kafshët mbajnë mbi shpinë 120 litra super, të cilat Afrimi i blen për t’i shitur më pas në kufi. Për të arritur deri atje rruga është e shkurtër, por tepër e vështirë. Vetëm 3 km i ndajnë kontrabandistët e këtij fshati maqedon nga fermat serbe. Rreth 2 orë rrugë midis shkëmbinjve të thepisur përshkruajnë tashmë njerëzit e kafshët që prej 2 vjetësh. Afrimi shpjegon se kjo zonë kontrollohet nga mafiozë serbë. Ata paguajnë policinë për të pasur në duar monopolin e këtij trafiku. Në rast se kapesh, duhet të paguash qimet e kokës dhe të përballosh të rrahurat. Por me sa duket ja vlen të rrezikosh. Afrimi siguron nga kjo tregti rreth 60 marka për çdo kalim të kufirit. Duke bërë dy rrugë në ditë ai arrin të fitojë mbi 1000 marka në javë. Në përgjithësi kalimi i kufirit serbo-maqedonas nuk ka shumë vështirësi. Fare pranë kufirit, në vendin e quajtur Arra e Myslymit, është vendosur një post e OKB-së. Afrimi thotë: “nuk ka problem, ata janë amerikanë dhe ne nuk ju interesojmë. Janë vendosur atje për të survejuar serbët”. Në fakt, që prej Korrikut 93 është vendosur në Maqedoni batalioni amerikan (US-Bat). Duke u shpërndarë nëpër kufijtë maqedonas me qëllim parandalimin e shtrirjes së konfliktit në këtë republikë. Por rezoluta 795 dhe 908 e Këshillit të Sigurimit të OKB nuk i lejon kaskat blu “janki” të ndërhyjnë për të ndaluar shkeljet e embargos. Lejtnant Boneti nga Teksasi thotë se pavarësisht nga ky status, US-Bat ka shënime të rregullta për çdo kalim kufiri dhe për çdo sasi ngarkese. Sipas shifrave të amerikanëve vetëm në një ditë kalojnë mesatarisht 250 mushka të ngarkuara me 30 mijë litra benzinë. Një marins i vendosur pas thasëve me rërë që mbajnë ngjyrat e OKB, përshëndet me dorë kontrabandistët që kalojnë 20 metra larg tij. “Tashmë njihemi, thotë ai, ata janë shumë të sjellshëm. Për më tepër që në SHBA gomari është emblema e Partisë Demokratike dhe njësoj si këtu, ai simbolizon pafuqishmërinë tonë”.
Duke arritur pranë një fshati serb, Afrimi takon Goranin, serb me të cilin është lidhur. Merr paratë, ngarkon sërish bidonët bosh dhe drejton mushkat andej nga ka ardhur. “Gorani është shok imi, thotë Afrimi, por me serbët nuk i dihet asnjëherë. Ata nuk i duan shqiptarët, as ne nuk i duam ata, por nuk kemi rrugë tjetër. Për të jetuar, jemi të detyruar t’i ndihmojmë”.
Me këto fjalë e mbyll artikullin e tij në “Le Figaro”, Jean-Slaude Gall. Dhe pas këtyre fjalëve pak vend ka për koment. Përballë ekonomisë edhe nacionalizmi ballkanik duket qesharak. I ngarkuar në mushka, i tretur në naftë dhe i konvertuar në kufi, ky nacionalizëm prej kohësh po i mbetet vetëm historisë.

SHKARKO APP