Armë e kokainë, tre të rinj nga Lezha përfundojnë në pranga

Tre të rinj në Lezhë janë vënë në pranga pasi akuzohen për shitje të lëndëve narkotike.

Sipas policisë janë arrestuar në flagrancë shtetasit:S. Gj., 27 vjeç, me precedentë të mëparshëm kriminal në fushën e narkotikëve dhe të armëmbajtjes pa leje; L. F., 17 vjeç dhe K. N., 16 vjeç, banues në Shëngjin, Lezhë.

“Shërbimet e Policisë Lezhë, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative për implikimin e këtyre shtetasve në veprimtarinë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike në Shëngjin, Lezhë, pas një hetimi disa javor, kanë ushtruar kontroll në ambientin ku këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgatisnin lëndën narkotike në doza, për shitje”, njofton policia.

Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale doza me  kokaine, një sasi lënde narkotike cannabis, armë zjarri pistoletë, municion luftarak, peshore elektronike, një sasi lekësh të dyshuara të përftuara nga ky aktivitet i paligjshëm dhe një automjet.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

SHKARKO APP