“Arrest me burg” për të dyshuarin si autor të eksplozivit në banesën e Gazmir Dacit
Gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për Vilson Brahaj, i arrestuar për vendosjen e eksplozivit në banesën e prindërve të Gazmir Dacit më 27 korrik.
Sipas Prokurorisë, Brahja u identifikua nga pamjet filmike teksa largohej me një automjet me targa të Kosovës.
Përpara trupi gjykues Brahja ka rrëfyer se para tre vitesh ka njohur një shok në shkollë dhe ai para pak ditësh i ka kërkuar t’i gjente dikë për të vendosur tritol. Brahja ka shtuar se ai e ka marrë vetë përsipër aktin kundrejt 5 mijë eurove, 1500 nga të cilat i ka marrë cash.
Ai ka thënë se veprën e ka kryer kundrejt pagesës dhe se nuk ka lidhje me konfliktin e fiseve Daci-Kolaveri. Ai është penduar përpara trupës gjykuese. Brahja ka rrëfyer gjithashtu se ka qenë një i ri rreth moshës 24-25 vjeç i cili i ka thënë të vendoste tritolin te banesa, pasi ishte shtëpia e tij, dhe e donte për të përfituar azil në vendet e BE.
“Këtë vepër e bëra kur nuk e dija që këto familje janë në gjak. Më ka thënë ai që më pagoi do vendosësh tritol këtu tek kjo shtëpi. Është shtëpia ime dhe e dua për azil. Djalin që më pagoi është 24-25 vjeç, jeton në Bathore. Tritolin ma solli ai. Më tha vendose këtu. Është shtëpia ime kjo, do të paguaj 1500 euro. S’e dija e kujt ishte shtëpia. Të nesërmen e mora në telefon, lekët s’mi dha. I thashë më fute në gjak me të tjerët. Të nesërmen i doli telefoni i fikur. E kam bërë për hall z.gjyqtar. Unë jam banor në Kamëz shtëpia që e vura e në bathore. E mora vesh në lajme çfarë kisha bërë”- tha Brahja.
KOHA JONË SONDAZH

