Arrestime në Policinë e Shtetit

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) tha të hënën në mbrëmje se ndaloi dy zyrtarë të policisë së Gjirokastrës dhe një doganier, si dhe shpalli në kërkim një inspektor policie pas urdhërave të lëshuara nga Prokuroria e Gjirokastrës.

Kryekomisar Alfred Kondi, shef i sektorit të krimit të organizuar në drejtorinë e policisë së Gjirokastrës, është ndaluar pasi, sipas AMP-së dyshohet për veprat penale “shpërdorim i detyrës” dhe “shpërdorim i autoritetit policor” kryer në bashkëpunim.

Nënkomisar Xhevit Dine, specialist në seksionin e inteligjencës dhe arkivës kriminale, po sipas AMP-së, dyshohet për veprën penale “shpërdorim i detyrës” kryer në bashkëpunim.

Ndërsa inspektori Feim Onjea, trupë shërbimi operacional në forcën e posaçme “Shqiponja”, është shpallur në kërkim, i dyshuar për veprat penale “shpërdorim i detyrës” dhe “shpërdorim i autoritetit policor” kryer në bashkëpunim.

Policia ka ndaluar edhe Bledar Mustafaraj, doganier në degën doganore të Kakavijës, i dyshuar për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “kontrabandë”, si dhe dy shtetasit Ilir Muho dhe Leodor Kazo, të cilët akuzohen për kontrabandë dhe falsifikim të vulave dhe stampave, kryer në bashkëpunim.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore njoftoi se “nga hetimet disa mujore me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore përfshirja e shtetasve në veprat penale të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm, favorizimit të shtetasve të ndryshëm në kontrabandimin e mallrave dhe organizimin e lojërave të fatit në formën e basteve sportive, me qëllim përfitimin në mënyrë të paligjshme të vlerave monetare”.

AMP theksoi se u provua që punonjësit e policisë, duke shfrytëzuar funksionin organik dhe atributet që iu jep detyra, në periudha të ndryshme kanë ndikuar në lejimin e ushtrimit të veprimtarive të paligjshme nga shtetas të ndryshëm.

SHKARKO APP