Arrestime të tjera emigrantësh ilegalë në Gjermani: kapen 16 refugjatë

Policia Federale e Rosenheimit fajëson një kosovar se ka trafikuar 16 bashkatdhetarë të tij, duke i vendosur në një porto-bagazh në kushte katastrofale, duke paraqitur rrezik të lartë për jetët e tyre. Makina e dyshimtë është ndaluar nga Policia në një pikë të autostradës Salzburg-Munih. Brenda saj kanë hasur disa fëmijë, në mesin e tyre madje edhe një foshnjë, të ngujuar në hapësirat mes të ndenjësve të prapme. Ndërsa, disa nga personat ishin ulur edhe në pjesën e porto-bagazhit të bagazhit. Gjithsej nëntë të rritur dhe shtatë fëmijë – këta të fundit pa vende për ndenjese, por të mbajtur në prehër të të rriturve ose mes të karrigeve – janë gjetur nga policët në këtë automjet të paraparë për më së shumti nëntë persona. Nga 17 personat e pranishëm, vetëm shoferi kishte leje qëndrimi, me dokumente të rregullta identifikimi në Gjermani, shkruan chimgau24.de, duke iu referuar burimeve policore. 16 të tjerët, të gjithë kosovarë, kanë deklaruar se vetëm për kalimin nga Hungaria në Gjermani janë detyruar të paguajnë nga 700 euro për person. Pas kryerjes së formaliteteve policore, shumica e 16 personave janë dërguar në qendrën për pranimin e azilkërkuesve. Ndërsa, tre të rinj (21,24 dhe 26 vjeç) nuk kanë kërkuar azil dhe do ta lëshojnë vendin sërish. Shoferi-trafikant, një kosovar 42 vjeç me qëndrim në Baden-Württemberg, i njohur edhe më parë për policinë është dërguar në burgun e Munihut për hetime.

SHKARKO APP