Arrestime VIP-ash nga bota e biznesit. Akuza: Mashtronin!

Arrestimet kapin edhe botën VIP të biznesit.

Duke iu referuar njoftimit zyrtar të Policisë, arrestimet u kryen si rezultat i një operacioni të nisur disa kohë më parë dhe të koduar “Bileta e falsifikuar”. Gjatë operacionit, janë sekuestruar 150 mijë bileta që do të shiteshin në urbanët e Tiranës.

Zyrtarisht, Policia nuk bëri të ditur emrat e tyre, por burime konfirmuan se në pranga kanë rënë, Fatos Vrapi, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit “AlbaTrans” dhe bashkëshortja e tij, Albana Vrapi, administratore dhe ortake, të dy janë bashkëpronar të linjave të Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës; Evis Vora, i cili ka në pronësi linjën e Porcelanit; Lulëzim Allaraj, dispeçer i një linje autobusësh; Aldi Duka, 39 vjeç, me detyrë dispeçer i një linje autobusësh; Klodiana Qato, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusësh.

Në pranga përfunduan edhe babë e bir, Ferdinand dhe Anastas Ibrahimi, të cilët janë ortakë në linjën e Tiranës së Re. “Në kuadër të Planit të Masave ‘Mbi informalitetin në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, trajtimi i mallrave me akcizë dhe evazionin fiskal’, sektori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe Drejtorinë e Hetimit Tatimor, pas një hetimi njëmujor me metoda speciale të hetimit, për goditjen e evazionit fiskal dhe informalitetit, finalizoi operacioni policor ‘Bileta e falsifikuar’, duke bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve 8 persona”, njoftoi Policia.

OPERACIONI

Sipas Policisë, arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi dyshohet se duke bashkëpunuar me njëri-tjetrin kanë falsifikuar bileta të transportit urban në kohë dhe periudha të ndryshme, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore dhe përfitim financiar të disa shoqërive operatore në transportin urban në qarkun Tiranë. Duke përdorur bileta urbani të falsifikuara dhe jo të prodhuara në Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë, të cilat i kishin hedhur në qarkullim, ata kanë përfituar shuma të konsiderueshme monetare.

“Nëpërmjet këtyre veprimeve i kanë shkaktuar shtetit një dëm të madh ekonomik, i cili do të përllogaritet në vazhdimësi nga strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve”, tha Policia. Gjatë kryerjes së veprimeve procedurale, janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale 150 000 bileta urbani të falsifikuara, vënia në përdorim e të cilave kap vlerën 6 000 000 lekë të reja. Gjithashtu, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një automjet i markës “Masserati”, 4 aparate celularë në posedim nga personat nën hetim, kartela të ndryshme financiare të plotësuara me shkrim dore, 5 libra arkash, 62 blloqe mandatesh arkëtimi, 350 kopje mandatesh arkëtimi, si dhe dokumente të tjera me shënime të ndryshme.

HETIMET

Policia bën me dije se hetimet për rastin janë duke vazhduar dhe se Prokuroria e Tiranës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Tatimor, vijojnë me veprimet procedurale për zbardhjen e plotë të skemës dhe bashkëpunëtorëve. “Vazhdojnë hetimet me intensitet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, shkruhej në njoftim. Prokuroria e Tiranës ka ngritur tri akuza për të arrestuarit.

“Materialet procedurale u dërguan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Falsifikimi i letrave me vlerë” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”, bëri të ditur Policia.

TË ARRESTUAR

1. Ferdinand Ibrahimi, 60 vjeç, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit të Unazës
2. Anastas Ibrahimi, 20 vjeç, djali i Ferdinandit, të cilit iu gjetën të fshehura provat materiale (biletat), në tentativë për t’i asgjësuar
3. Fatos Vrapi, 60 vjeç, me detyrë administrator dhe ortak i shoqërisë së transportit “Alba Trans”
4. Albana Vrapi, 51 vjeçe, bashkëshortja e Fatosit, administratore dhe ortake (të dy janë bashkëpronarë të linjave të Tiranës së Re, Tufinës dhe Shkozës)
5. Evisa Vora, 33 vjeçe, ka në pronësi linjën e Porcelanit, me detyrë administratore
6. Lulëzim Allaraj, 47 vjeç, dispeçer i një linje autobusësh
7. Aldi Duka, 39 vjeç, me detyre dispeçer i një linje autobusësh
8. Klodiana Qato, 42 vjeçe, me detyrë ekonomiste në një shoqëri autobusësh

SHKARKO APP