Arrestohen 8 ish-zyrtarë të pyjores, lejuan ndërtime në plazhin e Semanit

Në kuadër të finalizimit me sukses të operacionit policor të koduar “Pishat”, policia e Fierit në bashkëpunim me Sektorin e Krimit Ekonomik, kanë vënë në pranga ish-drejtorin dhe shtatë punonjës të Drejtorisë së Pyjores në qarkun e Fierit, të akuzuar për shpërdorim detyre me një dëm ekonomik shtetit në vlerën e rreth 19 milionë lekë të reja.

Sipas policisë të arrestuarit janë Shkëlqim Jaupaj 48 vjeç, ish-Drejtor i Shërbimit Pyjor, Nikollaq Zizi 52 vjeç, ish-Shef i Policisë Pyjore, Ervin Nuredini 37 vjeç, ish-Shef i Policisë Pyjore, Agur Vrenozi 50 vjeç, ish-inspektor i Shërbimit Pyjor, Rahim Lushaku 45 vjeç, ish-inspektor i Shërbimit Pyjor,  Aleksandër Dhima 59 vjeç, ish-inspektor i Shërbimit Pyjor, Astrit Kajolli 40 vjeç, ish-inspektor i Shërbimit Pyjor, Fredi Merkaj 54 vjeç, ish-shef i zonave të mbrojtura në Shërbimit Pyjor.

Me kërkesë të Prokurorisë së Fierit, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për 8 ish-drejtuesit dhe zyrtarët e tjerë të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, Fier, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, vendim i cili është ekzekutuar dje nga ana e forcave të Policisë.

Sipas policisë, arrestimi i tyre është kryer pasi këta persona duke qenë punonjës të Pyjores, në zonën e pyllit të Semanit e Poros kanë lejuar shkatërrimin e zonës së mbrojtur duke lejuar ndërtimin pa leje të reth 15 objekteve, ku nga prerja e pyjeve i është shkaktuar shtetit një dëm ekonomik në vlerën e rreth 19 milionë lekëve të reja.

Nga hetimet e deritanishme të Prokurorisë, rezulton se këta persona, në kundërshtim me funksionet e tyre, kanë lejuar ngritjen e një numri të madh lokalesh me struktura betoni në zonën pyjore të plazhit të Semanit, hapësirë publike nën administrimin e tyre, por diçka e tillë është e ndaluar në këtë zonë.

Sipas organit të akuzës, fillimisht, hetimi ka nisur në vitin 2012, kur Drejtoria e Shërbimit Pyjor Fier ka dërguar një kallëzim penal për ndërtuesit e lokaleve, për veprat penale të “Ndërtimit të paligjshëm” dhe “Prerje e paligjshme e pyjeve”.

Sipas akteve proceduriale të asaj kohe, ndërtuesit, prej vitit 2007, kishin marrë leje të përkohshme (vetëm për sezonin turistik) nga Drejtoria e Shërbimit Pyjor për ushtrimin e aktivitetit ambulant me rulotë.

Sipas akteve ligjore në fuqi, Shërbimi Pyjor duhet të ushtronte kontroll mbi këto rulotë, për të verifikuar respektimin e lejes së dhënë prej vetë atij institucioni.

Por, siç thekson prokuroria, nga kallëzimi i dorëzuar në Prokurorinë e Fierit në vitin 2012, rezultoi se pronarët e rulotëve nuk e kishin respektuar lejen provizore, duke ndërtuar lokale me godina prej betoni në hapësira të mëdha. Për këtë arsye, ndaj tyre u dorëzua kallëzim penal për “ndërtim të paligjshëm” dhe “Prerje e paligjshme e pyjeve”, pasi zona ku ishte ndërtuar ishte e mbulur me pyje, shumë pranë bregut të detit.

Sipas Prokurorisë ndërsa po kryheshin hetime për këto raste, në fund të vitit 2012 Kuvendi miratoi ligjin “Për amnistinë”, e cila përfshinte edhe këto vepra penale të kryera deri në atë kohë. Por, gjithsesi, nga ana e Prokurorisë së Fierit vijoi hetimi lidhur me përgjegjësinë e zyrtarëve të Drejtorisë së Shërbimit Pyjor, të cilët kishin përgjegjësinë për respektimin e lejeve provizore që kishin dhënë për shërbim tregtar ambulant me rulotë.

Nga hetimi rezultoi që zyrtarët, për të cilët gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” nuk kanë ushtruar detyrën e tyre për verifikimin në terren të lejeve për rulotët, aq sa pronarët e rulotëve, me qetësi dhe në një kohë të gjatë, kanë shndërruar aktivitetin e tyre ambulant në një shërbim solid lokal, me ndërtesa betoni.

Duke u nisur nga fakti se ndërtimi i një numri të madh lokalesh, në hapësira shumë të gjera, ka marrë një kohë të gjatë, rezulton se ish-zyrtarët e Drejtorisë së Shërbimit Pyjor nuk kanë ushtruar me dashje përgjegjësitë e tyre, duke lejuar në këtë mënyrë ndërtime abuzive, të cilat, ndër të tjera, jo vetëm kanë zënë sipërfaqe të fondit pyjor, kanë sjellë pasoja ekonomike konkrete, por ajo që është më e rëndë është dëmi ekologjik që i është shkaktuar mjedisit.

"Kështu, sipas aktit të ekspertit të mjedisit si pasojë e vendndodhjes dhe llojit të ndërtimeve, kemi të bëjmë me një impakt negativ në mjedis, pra dëm ekologjik. Mund të përmenden humbja/degradim i habitabit, fragmentim i habitabit, humbje e drejtpërdrejtë e specieve, tranzitimi dhe zhvendosja e specieve.

Gjithashtu, në ndikimin e e tjera mund përmendet: ndërtimi i gropave septike, prania e njerëzve në periudha të tejzgjatura, krijimi i infrastrukturës në shërbim të tyre ndikon në rigjenerimin e filizave apo të vetë rigjenerimit të pyllit, i cili mund të kërkojë deri në 80 vjet për ripërtëritjen e plotë", thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

SHKARKO APP