Arrestohen 8 persona në Durrës për arratisjen spektakolare të Altin Ndocit
Tetë persona janë arrestuar pas arratisjes së Altin Ndocit ditën e djeshme nga spitali i Durrësit.
Mes të arrestuarve janë gjashtë efektivët e policisë që u morën me shoqërimin e të burgosurit, kryeinfermieri i spitali dhe zëvendëskreu i policisë.
Si ndodhi ngjarja?
Rreth orës 13.00 të së martës, Ndoci është shoqëruar së bashku me një të dënuar tjetër nga dy efektivë policie në pavionin e infektivit. Në pritje të vizitës mjekësore ai ka kërkuar të shkojë në tualet. Me të dalë nga aty ka përfituar dhe ka goditur në befasi efektivin e policisë së burgjeve që po e ruante dhe menjëherë është larguar me vrap, ku e priste një automjet tip Audi i bardhë me të cilin është larguar.
Efektivi që e ndoqi Ndocin në arratinë e tij ka qëlluar me armën e tij të shërbimit në tokë dhe plumbi ka bërë rikoshet. Predha e tij përfundoi në shkallët e Infektivit, ndërsa gëzhoja e tij nuk është gjetur ende.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se nuk janë respektuar protokollet e shoqërimit për numrin e efektivëve të policisë së burgjeve që duhet të shoqërojnë personat e paraburgosur apo të dënuar gjatë vizitave të tyre mjekësore.
KOHA JONË SONDAZH

