Parlamenti voton nesër rezolutën: “Irani si shtet sponsor i terrorizmit”. PD bojkoton seancën
Parlamenti nesër do të votojë rezolutën “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste.”
1 orë përpara seancës ditën e nesërme, në orën 9:00 do të mblidhet Konferenca e Kryetareve për të bërë pjesë të punimeve rezolutën e cila po në të njëjtën ditë do të votohet.
Lajmi për rezolutën që shpall Republikën Islamike të Iranit “Shtet Sponsor i Terrorizmit” u njoftua më 13 mars 2026, kur deputetët e shumicës socialiste dorëzuan projekt‑rezolutën në Parlament për t’u shqyrtuar dhe votuar.
Ky draft dokument u paraqit zyrtarisht si iniciativë e Partisë Socialiste dhe synon që Iranin ta shpallë shtet që sponsorizon terrorizmin dhe përdor mjete terroriste, duke u bazuar në raporte ndërkombëtare dhe veprime që, sipas deputetëve, kanë dëmtuar sigurinë ndërkombëtare.
Ndërkohë PD ka njoftuar bojkotin e parlamentit për nesër.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla reagoi pas vendimit të grupit paralamentar të PD për të bojkotuar seancën parlamentare të së martës, duke e cilësuar të paligjshme.
Në një postim të Facebook, Balla shprehet i keqardhur që PD nuk merr pjesë në seancën ku do të votohet rezoluta e PS për ta shpallur Iranin shtet që përdor mjete terroriste.
Duke iu referuar pretendimit të PD se seanca mblidhet për axhendën personale të Ramës, Balla shprehet se “qëndrimi i Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, nuk është axhendë personale.
”Keqardhje për njoftimin se Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën e nesërme të Kuvendit të Shqipërisë, me pretekstin se në këtë seancë është propozuar nga ne një projekt-rezolutë për “Për shpalljen e Republikës Islamike të Iranit si Shtet Sponsor i Terrorizmit dhe Shtet që përdor mjete terroriste”. Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni. Gjithashtu qenka thënë se seanca është thirrur në kundërshtim me Rregulloren. Gënjeshtër! Seanca e nesërme, ditën e Martë 17 Mars 2026, është propozuar në Konferencën e Kryetarëve të datës 18 Shkurt 2026 dhe miratuar me vendim të Seancës Plenare, pra një muaj më parë (referojuni proces-verbalit të Mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, të cilat janë publike). Kush ju ka urdhëruar të bojkotoni nesër seancën, nuk jua dashka të mirën ju dhe Shqipërisë”, shprehet Balla.

