
Prefekti i Qarkut Tiranë, Shkëlqim Hajdari, ka bërë të ditur se do të merren masa parandaluese për përballimin e situatave të mundshme të përmbytjeve gjatë sezonit vjeshtë-dimër.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hajdari njoftoi se ka mbledhur Komisionin e Mbrojtjes Civile të Qarkut Tiranë, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë forcimi i masave parandaluese dhe rritja e gatishmërisë së strukturave përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave.
Gjatë takimit është analizuar gjendja e digave, rezervuarëve dhe ujëmbledhësve në territorin e qarkut, si dhe problematikat e evidentuara që kërkojnë ndërhyrje teknike, mirëmbajtje dhe rehabilitim të infrastrukturës së amortizuar.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar monitorimit të niveleve të ujit, funksionimit të shkarkuesve dhe identifikimit në kohë të zonave me potencial rreziku për përmbytje, me qëllim mbrojtjen e banorëve dhe pronës.

Postimi i plotë – Masa mbrojtëse për parandalimin e përmbytjeve gjatë dimrit!
Dje, mblodha Komisionin e Mbrojtjes Civile te Qarkut ,në kuadër të përgatitjeve për sezonin vjeshtë–dimër 2025–2026, me fokus forcimin e masave parandaluese dhe rritjen e gatishmërisë së strukturave përgjegjëse.
Gjatë takimit u diskutua gjendja e digave dhe rezervuarëve dhe ujembledhësve në territorin e Qarkut Tiranë, problematikat e evidentuara dhe nevoja për ndërhyrje teknike, mirëmbajtje dhe rehabilitim të infrastrukturës së amortizuar.
Vëmendje e veçantë iu kushtua monitorimit të niveleve të ujit, funksionimit të shkarkuesve, parandalimit të përmbytjeve dhe identifikimit në kohë të situatave me potencial rreziku për komunitetet dhe pronën.
Gjithashtu, u analizua situata e permbylljes se zjarreve të veres, ku u vleresia puna e zjarrfikesve dhe forcave te tjera operacionale.
Theksova, se menjehere do behet verifikimi ne teren i gjendjes teknike te gjithë rezervuarvë të qarkut, në kuadër të
bashkërendimit ndërinstitucional, shkëmbimit të informacionit në kohë reale dhe përditësimit të planeve të reagimit ndaj emergjencave civile.
Në përfundim, strukturave dhe institucioneve përgjegjëse iu kërkua të marrin masat përkatëse, të garantojnë gatishmërinë operacionale dhe të forcojnë bashkëpunimin për menaxhimin efektiv të situatave emergjente.
Parandalimi, koordinimi institucional dhe reagimi në kohë mbeten elementë thelbësorë për mbrojtjen e jetës, shëndetit të qytetarëve dhe pronës.

