Sindikata e Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH) ka vendosur të bojkotojë mësimdhënien në të gjitha universitetet publike të vendit, në shenjë solidariteti me studentët dhe nxënësit që protestojnë prej muajsh. Vendimi është marrë unanimisht nga kryesia e sindikatës më 20 tetor dhe ka hyrë në fuqi më 21 tetor, ndërsa bojkoti do të vijojë deri në një njoftim të dytë. Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Skënder Kovaçi, tha se nuk ka dialog me kryeministrin Edi Rama. “Nuk mund të vijojmë mësimin kur studentët tanë dhunohen. Jemi në një mendim me studentët”, deklaroi Kovaçi, duke kërkuar ndalimin e dhunës dhe hetimin e përdorimit të forcës policore.
Përmes një deklarate zyrtare, SPUSH shpreh mbështetjen për kërkesat e protestuesve, duke vënë në dukje se shqetësimet e tyre lidhen me cilësinë e arsimit, shëndetësinë, sigurinë dhe përgjegjshmërinë e institucioneve. Sipas sindikatës, mungesa e dialogut dhe reagimi ndaj protestave kanë përshkallëzuar situatën. “Përgjigjja që kanë marrë nuk ka qenë dialogu, por heshtja dhe, që nga 13 tetori e në vijim, edhe dhuna ekstreme”, thuhet në deklaratë.
Pedagogët e konsiderojnë të papranueshme vijimin normal të procesit mësimor në një kohë kur studentët e tyre përballen me dhunë gjatë protestave. “Pedagogët nuk mund të vazhdojnë mësimin si zakonisht, ndërkohë që studentët e tyre goditen në rrugë”, thekson SPUSH, duke shtuar se stafi akademik ndan shqetësime të përbashkëta me studentët për zhvillimet politike dhe ekonomike, korrupsionin dhe mungesën e meritokracisë.
Katër kërkesat e sindikatës
Në qëndrimin e saj, SPUSH kërkon ndalimin e menjëhershëm të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë, si dhe hetimin e pavarur të rasteve të përdorimit të forcës. Sindikalistët kërkojnë gjithashtu që personat përgjegjës të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre dhe që studentëve të shoqëruar t’u garantohet trajtim i ligjshëm dhe dinjitoz. Një tjetër kërkesë është plotësimi i kërkesave të studentëve dhe nxënësve që kanë dalë në protesta. “Kërkojmë ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të dhunës ndaj studentëve dhe protestuesve paqësorë”, thuhet në njoftimin e sindikatës, e cila kërkon transparencë të plotë për ngjarjet e ndodhura që prej 13 tetorit.
Pedagogët do të protestojnë çdo ditë në orën 10:00
Përveç bojkotit të mësimdhënies, pedagogët kanë njoftuar se do të marrin pjesë aktivisht në protestë. Ata do të mblidhen çdo ditë, në orën 10:00, përpara Korpusit Qendror të Universitetit Politeknik të Tiranës, për të shprehur mbështetjen ndaj studentëve. SPUSH u ka bërë thirrje rektorëve dhe drejtuesve të universiteteve publike të respektojnë vendimin e sindikatës dhe të mos ndërmarrin masa disiplinore ndaj pedagogëve apo studentëve që marrin pjesë në bojkot dhe protesta.
Ndërkohë, sindikata sqaron se ndërprerja e përkohshme e mësimit nuk do të ndikojë në zhvillimin e mëtejshëm të procesit akademik. Orët e humbura do të kompensohen pas përfundimit të bojkotit, ndërsa pedagogëve u kërkohet të ruajnë komunikimin me studentët dhe t’u ofrojnë materialet mësimore të nevojshme. “Bojkoti nuk është braktisje e auditorit”, nënvizon SPUSH, duke bërë të ditur se pedagogët do t’i rikthehen mësimdhënies kur studentët të marrin përgjigjen që meritojnë për kërkesat e tyre.
Me këtë vendim, sindikata e universiteteve publike e shtrin mbështetjen përtej deklaratave, duke e kthyer solidaritetin me protestuesit në një bojkot të organizuar të procesit mësimor, pa një datë të përcaktuar për përfundimin e tij.
