Arrestohet 48-vjeçari i dyshuar për zjarrin në tregun e Lushnjës
Klodian Çina është personi i arrestuar nga policia si i dyshuar për zjarrvënien në tregun e fruta-perimeve në qytetin e Lushnjës. Sipas hetimeve paraprake, 48-vjeçari dyshohet se në orët e para të mëngjesit të datës 19 maj 2026 i ka vënë zjarrin tregut që ndodhet në lagjen “Xhevdet Nepravishta” dhe më pas është larguar nga vendngjarja për t’u fshehur në qytetin e Durrësit.
Pas veprimeve hetimore dhe kontrollit të zonave ku dyshohej se mund të fshihej, policia arriti të lokalizojë dhe të vendosë në pranga të dyshuarin. Hetuesit dyshojnë se ai ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në zjarrvënien që shkaktoi dëme të konsiderueshme në tregun e fruta-perimeve.
Gjithashtu, sipas informacioneve të siguruara nga hetimi, 48-vjeçari dyshohet të jetë autor edhe i vjedhjes së një biçiklete në Lushnjë. Mjeti dyshohet se është përdorur nga ai për të lëvizur në qytet dy ditë përpara ngjarjes së zjarrvënies. Biçikleta është gjetur nga policia dhe është sekuestruar si provë materiale në kuadër të hetimeve.
Nga verifikimi i kamerave të sigurisë dhe pamjeve filmike të administruara nga grupi hetimor, rezulton se bashkë me Klodian Çinën është parë edhe një person tjetër. Megjithatë, deri në këtë fazë të hetimeve, autoritetet bëjnë me dije se personi në fjalë nuk rezulton të ketë lidhje me zjarrvënien apo me veprën penale që po hetohet.
Nën drejtimin e Prokurorisë, policia po vijon hetimet për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të verifikuar nëse persona të tjerë mund të kenë pasur rol në këtë rast. Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Vjedhja”.
KOHA JONË SONDAZH

