Arrestohet anëtari i treti i gjobvënësve të rrezikshëm, operacioni “Përsëritësi” vazhdon

Policia e Tiranës dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë zhvilluar një operacion të koduar si “Përsëritësit“ për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e gjobëvënies. Si rrjedhim, vunë në pranga pjesëtarin e tretë të një grupi të strukturuar kriminal,  pas një pune të mirëorganizuar dhe hetimi disajavor, 35 -vjeçarin V. U. lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë.

V. U. ishte shpallur në kërkim për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky shtetas në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të një grupi të strukturuar kriminal, dy prej të cilëve u arrestuan gjatë operacionit “Përsëritësit”, dyshohet se është autor i disa rasteve të shtrëngimeve me anë të kanosjes për dhënie pasurie, ndodhur në periudha të ndryshme kohore në qytetin e Tiranës.

Nga ana e grupit hetimor vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të këtyre ngjarjeve dhe disa ngjarjeve të tjera që dyshohen se janë kryer nga këto persona.

Dosja e V.U. iu dha për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”.

SHKARKO APP