Arrestohet deputeti Mark Frroku

 

Policia e Tiranës ka shkuar në banesën e deputetit Mark Frroku në Tiranë për ta arrestuar. Pas fjalimit në parlament dhe pas dhënies së autorizimit nga Kuvendi, Policia nuk ka humbur kohë dhe ka shkuar në banesën e tij për të zbatuar urdhrin e Prokurorisë. 

Tre makina policie kanë shkuar në banesën e tij në "Kombinat". Pritet që deputeti të dërgohet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku do të qëndrojë deri në vendimin e gjykatës. Ky është arrestimi i dytë i deputetit të Shkodrës. Një javë më parë ai u ndalua nga policia për “dëshmi të rreme”, lidhur me akuzat e deputetit Tom Doshi.

Arrestimi i sotëm bëhet pas një kërkesë të autoriteteve Belge. Sipas drejtësisë Belge, Frroku dyshohet si pjesëmarrës në një vrasje të ndodhur disa vite më parë në Belgjikë.

Fjalimi në Kuvend/Mark Frroku: Familja i ka dalë borxhit me moral familjes Kurti

Mark Frroku: Nëse në rastin  e parë e pashë të arsyeshme të flisja nga karrigia e deputetit tani jam në këtë foltore për të sqaruar, jam betuar jo si deputet por dhe malësor me rregullat e traditës e jo malsorët e ditëve të sotme. Nuk kam vrarë e shtyrë asnjeri për të vrarë apo kanosur njeri. Dua tu them të gjithëve se nuk ka një vendim të formës së prerë as në Belgjikë dhe në asnjë shtet tjetër. Kam respektuar ligjin gjatë gjithë kohës time si deputet. Jam gati të sqaroj akuzat që bëhen ndaj meje.

Është e vërtetë që 1998 kam emigruar drejt Belgjikës dhe atje kam kërkuar azil politik. E vetmja rrugë ishte paraqitja si shqiptar i Kosovës, sepse në atë kohë vuanin genocidin, dhe e vetmja mënyrë për ët marrë ishte kjo. Pasi kam qëndryuar 4-5 muaj më është refuzuar kam lënë Belgjikën dhe jam kthyer në Shqipëri

Pas kësaj emrin e Aleksandër Kurtit, e kam dëgjuar pas ngjarjes. I përcjell ngushëllimet familjes Kurti. Bashkohem me dhimbjen dhe i garantoj se nuk kam asnjë lidhje me këtë cështje. Trupi i pajetë i Aleksandrit u  gjet më 5 mars 1999. Unë nuk kam qenë në Belgjikë në këtë kohë dhe nga kjo kohë deri në 2004 nuk e kam shkelur kurrë. Ia kemi bërë mëse të qartë organeve belge. Në mars të vitit 2013, familja ime në prani të 24 burrave dhe dy klerikëve i ka bërë Be familjes Kurti dhe shumë nga ju e dini mirë cfarë do të thotë “Be” dhe “Falje gjaku”.

Familja Frroku i ka dalë borxhit me moral familjes Kurti. Këtë informacion që ka sjellë Belgjika dhe që është future në relacionin e prokurorisë ta verifikojë mirë. Nëse doni ta provoni unë kam dhe pamjet filmike dhe firmat e këtyre 24 burrave, që kanë firmosur që ne i dalim borxh kësaj familjeje. Edhe atëherë edhe sot unë nuk i jam shmangur drejtësisë, por për 16 vjet autoritetet belge nuk kanë gjetur asnjë provë për të më fajësuar. Avokatja ime e ka provuar tek autoritetet belge.

Në 2004 autoritetet belge më kanë thirrur si i dyshuar dhe për 2 muaj kam qenë I ndalur, dhe pas 2 muajsh jam liruar pa asnjë kusht nga gjykata belge.

Në 2010 jam dënuar në mungesë 10 vjet dhe Gjykata e Lartë shpalli pavlefshmërinë duke më shpallur të pafajshëm dhe duke më rikthyer cështjen

Këtu ka më të pasur sesa unë dhe qytetarët e Shkodrës s’më kanë votuar se unë jam i pasur. Ato njerëz që shpifin dhe bëjnë politikë me akuzat ndaj meje dhe hallet e mia nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të shpifin.

Nuk kam hyrë në këtë parlament nga dritarja por nga dera dhe 1 milionë vota ishin përgjigjja më e mirë për qeverisjen e kaluar. Them nga kjo sallë kush kërkon të kriminalizojë këto vota e ka gabim. Nuk ka bankë as bandë të blejë votat për ndryshim. Kjo maxhorancë ka për detyrë të mbajnë të bardhë votën, humbësit duan ta bëjnë pis.

Nuk lejoj që dekriminalizimin ta përdorin si sapun për djathë e duke përdorur kufomën time politike e hedhur baltë mbi figurën time. Nga kjo sallë shpesh herë padrejtësia ka marrë fuqinë dhe e drejta arratinë. Në këtë sallë janë bërë shumë pazare të pista, por sot nujk jam këtu për të bërë gjyqin e askujt por për të mbrojtur dinjitetin tim.

Kur u dha lajmi në tetor 2014, në mediat belge kam reaguar. Asnjë gazetar nuk më mori në telefon për të më pyetur dhe u duk ashiqare trafik i pastër mediatik. I kam identifikuar autorët e këtij sulmi të paskrupullt. Më e keqja është shkatërrimi i imazhit. Nuk kam kërkuar mbrojtje as nga ministri Tahiri dhe as nga kryeministri Rama. As për cështjen e vëllait tim. Asnjëherë nuk kam qenë skllav as i kryeministrit e as i kryetarit të parlamentit.

SHKARKO APP