Arrestohet gruaja e të dyshuarit si kultivues i 10 mijë rrënjëve kanabis
Bashkëshortja e të dyshuarit kryesor për kultivimin e parcelave me kanabis në fshatin Myz të Matit është arrestuar ndërsa policia gjatë kontrollit të banesës gjeti 2 kg drogë në formë boçeje, në proçes tharje.
Në kuadër të operacionit antikanabis të ndërmarrë dje nga forcat policore të Komisariatit të Policisë Mat të mbështetura nga FNSh u asgjësuan 10.600 bimë narkotike.
Policia shpalli në kërkim Fatmir Shehin “si i dyshuar kryesor i kultivimit të bimëve narkotike”.
Policia informon sot: “Ndërsa pas zbulimit të drogës në banesë bëri arrestimin në flagrancë të bashkëshortes së tij, Nexhmije Shehi, 48 vjeç, banuese në fshatin Myz, njësia Administrative Lis, Mat”
Po në vijim të veprimeve gjatë kqyrjes së vendit të ngjarjes, në afërsi të vendit ku u gjetën të kultivuara 10600 bimët narkotike, është gjetur i braktisur një automjet tip “Toyota”, me targa AA 598 AM.
Nga verifikimi në sistem rezultoi se këto targa nuk i përkasin këtij mjeti i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Materialet proceduriale në lidhje me këtë ngjarje do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat për veprime të mëtejshme për veprat penale “ Prodhim e Shitje të narkotikëve “ dhe Kultivim të bimëve narkotike’’ parashikuar nga nenet 283 e 284 të Kodit Penal.

KOHA JONË SONDAZH

