Arrestohet “Lypeni shqiptar”, policia informacion zyrtar: Qarkullonte me armë, u kap pas 10 minutash ndjekjeje

Policia ka dhënë informacion zyrtar për arrestimin e Lajden Kadillit, i konsideruar “Lypeni shqiptar”.

Në informacionin zyrtar të uniformave blu thuhet se Kadilli qarkullonte me armë zjarri në momentin e arrestimit, ndërsa kishte fishekë gati për qitje.

Në njoftim, saktësohet se Kadilli ishte një person me precedent të theksuar kriminal dhe ishte në kërkim për një sërë veprash.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

I shpallur në kërkim për krime ndaj personit, qarkullonte me armë zjarri me fishek në fole gati për qitje, tentoi t’i shmangej pikës së kontrollit, kapet pas 10 minuta ndjekjeje nga forca e posaçme “Shigjetat”.

Vihet në pranga 27-vjeçari me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe armëmbajtjes pa leje.

Sekuestrohet një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.

Në zbatim të Planit të Masave për parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme, kapjen dhe prangosjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo që janë të shpallur në kërkim, forca e posaçme “Shigjetat” ka konstatuar një mjet që ka ndaluar 100 metra larg pikës së kontrollit te pallati me shigjeta.

Drejtuesi i mjetit ka dalë nga mjeti dhe ka ikur me vrap duke mbajtur një çantë në dorë. Menjëherë punonjësit e Policisë së forcës së posaçme “Shigjetat” janë vënë në ndjekje të personit, i cili kur ka parë që po e ndiqte Policia ka hedhur në një kosh armën e zjarrit dhe është larguar me shpejtësi

Pas afro 10 minuta ndjekjeje, “Shigjetat” kanë kapur dhe prangosur shtetasin L. K., 27 vjeç, banues në Durrës

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit tip pistoletë me fishek në fole gati për qitje dhe një krehër me fishekë luftarak

Shtetasi L. K. është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Nr. 2 dhe nga verifikimi i kryer ka rezultuar se ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka dërguar urdhrin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, e cila i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” dhe “Armëmbajtje pa leje”

Gjithashtu ndaj këtij shtetasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka dërguar për ekzekutim urdhër-ndalimin në mungesë, për veprat penale “Kanosja”, “Shkatërrim i pronës”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë të rendit publik” dhe “Armëmbajtje pa leje”

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. K. dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë.

SHKARKO APP