Arrestohet në hyrje të Greqisë, 68-vjeçari shqiptar transportonte 55 kg kanabis
Një shtetas shqiptar, 68 vjeç, është arrestuar nga policia greke në zonën e Follorinës, pasi u kap duke transportuar një sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Operacioni u zhvillua nga oficerët e Departamentit të Hetimit dhe Ndjekjes Penale të Krimeve, pas një hetimi dhe grumbullimi informacioni që çoi në lokalizimin e automjetit.
Sipas autoriteteve greke, aksioni u organizua në kuadër të masave për goditjen e trafikut ndërkombëtar të drogës dhe parandalimin e hyrjes së lëndëve narkotike në territorin grek. Pas ndalimit të automjetit që drejtohej nga 68-vjeçari shqiptar, policia ushtroi një kontroll të detajuar, gjatë të cilit zbuloi një ngarkesë të madhe kanabisi.
Brenda automjetit u gjetën dy çanta udhëtimi dhe një thes, ku ishin fshehur gjithsej 50 pako me kanabis. Nga peshimi rezultoi se sasia totale arrinte në 55 kilogramë e 422 gramë. Përveç drogës, efektivët sekuestruan edhe tre telefona celularë, të cilët pritet t’i nënshtrohen ekspertizës për të zbuluar kontakte apo të dhëna që mund të ndihmojnë në identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
I dyshuari u vu menjëherë në pranga dhe ndaj tij është ngritur akuza për trafikim të lëndëve narkotike. Hetimet vijojnë për të zbardhur origjinën e drogës, destinacionin e saj dhe nëse 68-vjeçari ka vepruar si pjesë e një rrjeti më të gjerë të trafikut ndërkombëtar.
Sipas mediave greke, muajt e fundit është vënë re një shtim i rasteve të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Greqisë. Vetëm gjatë 11 muajve të fundit, autoritetet greke kanë sekuestruar mbi 1.2 ton kanabis në zona si Igumenica, Janina, Kosturi, Follorina dhe Selaniku.
Një pjesë e konsiderueshme e këtyre sasive dyshohet se janë transportuar përmes linjës Sarandë–Igumenicë, e cila mbetet një nga itineraret më të përdorura nga grupet kriminale. Në një prej rasteve të mëparshme, policia greke bllokoi edhe një skaf të ngarkuar me drogë në zonën e Igumenicës, duke dëshmuar se rrugët detare vazhdojnë të shfrytëzohen për trafikimin e lëndëve narkotike drejt Greqisë.
KOHA JONË SONDAZH

