Arrestohet polici dhe dy të tjerë për falsifikim dokumentesh

Policia Kufitare e Korçës dhe SHÇBA arrestuan 3 persona, njëri prej të cilëve punonjës i policisë, në kuadër të operacionit të koduar “Falsifikuesit”.  Ata akuzohen për “Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Falsifikim të dokumenteve” dhe “Shpërdorim të detyrës”. Arrestimi i tyre u krye në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, në bazë të urdhrit të Prokurorisë dhe vendimit të Gjykatës, bazuar në një punë hetimore në bashkëpunim mes organeve ligjzbatuese.

Shtetasit e arrestuar në flagrancë janë Marsel Miço, 38 vjeç, banues në Korçë; Ilia Çipi, 46 vjeç, banues në Korçë, mbi dyshimet për kryerjen e veprave penale të “Falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve” dhe të “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve”. Ndërkohë, SHÇBA e Korçës ka vënë në pranga punonjësin e Policisë  Lefter Bardho, 47 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë kontrollor në PKK Kapshticë, për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”.

Shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë ndihmuar disa persona për të kaluar në mënyrë të paligjshme kufirin, duke përdorur pasaporta shqiptare dhe serbe si dhe në bazë të ngjashmërisë fizike, në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës.

Gjatë këtij operacioni janë  sekuestruar në cilësinë e provës materiale 9 pasaporta biometrike shqiptare;1 pasaportë biometrike serbe; 4 aparate telefoni celular dhe 2 automjete “Mercedes benz” me targa AA748OG dhe AA361NY. Materialet procedurale i janë përcjellë Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme dhe për zbulimin e lidhjeve të mundshme këtij grupi kriminal.

SHKARKO APP