Arrestohet polici rrugor në Lezhë

 

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ka arrestuar në flagrancë në orët e pasdites së sotme, punonjësin e Policisë së Qarkullimit Rrugor në Lezhë, Ylli Ulaj, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të punonjësve që ushtrojnë funksione publike”.

Arrestimi i punonjësit të policisë u bë pasi sot rreth orës 11:30 duke qenë me shërbim në autostradën Milot – Lezhë, dyshohet se i ka marrë 50 euro në formë ryshfeti një shtetasi nga Kosova, me iniciale S.D.

Ky i fundit po udhëtonte me automjetin e tij kur u ndalua për tejkalim të normave të shpejtësisë. Shtetasi nga Kosova ka kundërshtuar faktin se ishte në shkelje të rregullave të qarkullimit, por ka paguar sasinë e lekëve të kërkuar nga efektivi i Qarkullimit, Ylli Ulaj.

Punonjësi i policisë ka marrë 50 eurot dhe nuk ka proceduar administrativisht shtetasin kosovar, për shkeljen e konstatuar.

Shtetasi S.D. ka bërë më pas denoncim në numrin falas 0800 90 90 të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Menjëherë nisën hetimet dhe u arrestua në flagrancë punonjësi i policisë Inspektor Ylli Ulaj, dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 50 eurot e dhëna nga shtetasi kosovar.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të punonjësve që ushtrojnë funksione publike”.

SHKARKO APP