Arrihen 85 vota për miratimin e Kodit Zgjedhor. Ambasadorja amerikane presion Ramës: Voto Marrëveshjen!

Tre deputetët të opozitës parlamentare kanë deklaruar sot publikisht votën pro marrëveshjes së 5 qershorit për reformën zgjedhore. Artur Roshi, Fatjona Dhimitri dhe Besnik Troplini thanë në një deklaratë për mediat se do të mbështesin miratimin e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, të cilat u hartuan në monitorimin e ndërkombëtarëve mes PS, PD dhe LSI.

Me tre votat që janë deklaruar sot, Kuvendi e kalon numrin prej 85 votash që i duhen për ndryshimin e Kodit Elektoral. Zyrtarisht PS ka 81 vota në Kuvend. Disa ditë më parë deputetët Lefter Maliqi, Suzana Topi dhe Gjetan Gjetani deklaruan se do të votojnë pro marrëveshjes politike për Kodin Zgjedhor. Në këtë mënyrë, deri tani, janë të paktën 87 vota të deklaruara.

Sot ambasadorja amerikane Kim ka qenë në zyrën e Taulant Ballës ku mësohet se është treguar e rreptë, duke i kërkuar që të votojnë Marrëveshjen pa asnjë dredhi.

Ndërkohë deputeti Artur Roshi tha se marrëveshja e 5 qershorit mbështetet nga gjithë ndërkombëtarët. “Është në marrëveshje e mbështetur nga perëndimi dhe gjermanët. Nuk mbron interes e partive të vogla. Kjo është një marrëveshje që i duhet vendit në këtë momentet. Sa i përket prekjes së kushtetutës, sipas meje prandaj ndërhyrja nuk duhet të bëhet në mënyrë të njëanëshe”,- tha ai. Roshi shtoi se “loja e kartonëve nuk na çon askund. Balli Kombëtar Demokrat është një parti që e ka kaluar procesin partiak dhe përfundimisht ne do të jemi pro kësaj marrëveshje, jo se morëm ato që deshën, sepse kjo është ajo që i duhet vendit. Para integrimit të vendit nuk mund të zgjedhim diçka të tjetër, pasi është një kusht i hapjes së negociatave”.

Ndërsa deputetja Fatjona Dhimitri tha se nuk mund të vijohet më me lojërat e Edi Ramës.  “Nuk jam në kuvend për të bërë lojërat e Edi Ramës, jam në opozitë me Ramën. Unë besoj tek Evropa dhe nuk mund të bëhem pengesë për procesin e integrimit. Marrëveshja e arritur në 5 qershor është i vetmi kusht i plotësuar deri më tani. Do të votoj pro marrëveshjes që arritur në datë 5 qershor si deputete e Kuvendit të Shqipërisë”,- deklaroi Dhimitri.

Po kështu edhe pesë ambasadorë të huaj shumë të rëndësishëm kanë takuar kryeministrin Rama duke i thënë ftohtë: Voto Marrëveshjen, ndryshe reagimi do jetë shumë i fortë nga BE.

SHKARKO APP