ARRSH: Asnjë dëmtim në urën e Matit, kufizimi i qarkullimit masë parandaluese

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka sqaruar se kufizimi i qarkullimit në Urën e Matit nuk lidhet me ndonjë çedim, dëmtim apo problem të ri strukturor. Sipas ARRSH-së, masa është marrë për të mbrojtur themelet e urës, të cilat së fundmi iu nënshtruan një ndërhyrjeje emergjente për përforcim.

Ura lejon kalimin e mjeteve deri në 13 tonë, por monitorimet kanë treguar se ky kufizim nuk respektohet gjithmonë nga mjetet e rënda. Për këtë arsye, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, janë vendosur barriera betoni në të dyja anët e urës.

ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën, ndërsa automjetet mbi 13 tonë duhet të përdorin rrugën alternative. Autoriteti thekson se masa synon garantimin e sigurisë dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të urës.

Swiss Digital Desktop Reklama

Deklarata e plotë

Swiss Digital Mobile Reklama

Në lidhje me disa lajme dhe artikuj të publikuar sot për kufizimin e qarkullimit në Urën e Matit, ju bëjmë me dije se nuk bëhet fjalë për asnjë çedim, dëmtim apo problem të ri strukturor të urës. Kufizimi i vendosur është një masë e detyruar parandaluese, e ndërmarrë për të garantuar stabilitetin, sigurinë dhe qëndrueshmërinë e urës.
Ura e vjetër e Matit, e cila së fundmi iu nënshtrua një ndërhyrjeje emergjente për përforcimin e themeleve, po përballon një fluks të konsiderueshëm qarkullimi, veçanërisht nga mjetet e tonazhit të rëndë që tejkalojnë masën e lejuar prej 13 tonësh.

Që prej hapjes së saj, ura është pajisur me sinjalistikën përkatëse, e cila lejon kalimin vetëm të mjeteve me tonazh deri në 13 tonë. Megjithatë, nga monitorimet në terren rezulton se kjo sinjalistikë nuk respektohet në mënyrë të përsëritur, duke krijuar një ngarkesë të panevojshme dhe duke rrezikuar në të ardhmen qëndrueshmërinë e strukturës.

Për këtë arsye, ARRSH, në bashkëpunim me Policinë Rrugore, ka marrë masa shtesë për kontrollin e qarkullimit, duke vendosur elemente betoni në të dyja anët e urës, me qëllim parandalimin e kalimit të mjeteve të rënda që tejkalojnë kufirin e lejuar. Mjetet mbi 13 tonë duhet të përdorin detyrimisht rrugën alternative.

Theksojmë edhe një herë: kjo masë nuk lidhet me ndonjë çedim apo dëmtim të urës, por është një masë e domosdoshme sigurie dhe parandalimi, për të mbrojtur ndërhyrjen e kryer në themelet e saj dhe për të garantuar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë të strukturës.

Në këtë kuadër, bëjmë thirrje të mos spekullohet me çështje të tilla teknike dhe të mos keqinformohet publiku përmes artikujve apo deklaratave të pabazuara, të cilat krijojnë pa nevojë shqetësim te qytetarët.

Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithë përdoruesve të rrugës, respektimin e sinjalistikës së vendosur dhe zbatimin e kufizimit për kalimin e mjeteve me tonazh deri në 13 tonë. Siguria e qytetarëve dhe ruajtja e qëndrueshmërisë së infrastrukturës rrugore mbeten prioriteti ynë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?