ARRSH nis procedurën për ndërtimin e 6 mbikalimeve për këmbësorë në autostradën Tiranë–Durrës
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka nisur procedurat për ndërtimin e 6 mbikalimeve për këmbësorë përgjatë kilometrave të parë të autostradës Tiranë–Durrës, si pjesë e fazës së dytë të projektit pas zgjerimit të këtij aksi kryesor.
Këto ndërhyrje synojnë të përmirësojnë sigurinë dhe aksesin për banorët e zonave që ndodhen përgjatë autostradës, duke krijuar pika të dedikuara kalimi për këmbësorët dhe duke reduktuar rrezikun nga qarkullimi i automjeteve me shpejtësi të lartë.
Procedura e tenderimit është hapur dhe pritet të mbyllet më 15 qershor. Pas shpalljes së fituesit, punimet parashikohet të nisin menjëherë në terren. Projekti nuk kufizohet vetëm te ndërtimi i mbikalimeve, por përfshin edhe një sërë ndërhyrjesh shtesë, si instalimi i ndriçimit rrugor, gjelbërimi i hapësirave përreth, vendosja e barrierave akustike dhe elementë të tjerë për përmirësimin e infrastrukturës.
Sipas planit të detajuar, mbikalimet do të shpërndahen në pika strategjike përgjatë segmentit. I pari do të vendoset pas objektit të VEKO Group, i dyti në afërsi të Universitetit “Polis”, duke lehtësuar kalimin për banorët e zonës së Yrshekut. Mbikalimi i tretë do të ndërtohet pranë QTU-së, i katërti në zonën e BRUNES, i pesti para objektit të FedEx Albania, ndërsa i gjashti pranë Autostar.
Gjatë një inspektimi në terren të punimeve për zgjerimin e autostradës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, theksoi se garantimi i aksesit të sigurt për banorët mbetet një nga komponentët kryesorë të projektit. Sipas tij, synimi është që ndërhyrjet të përfundojnë brenda muajit shtator, në mënyrë që të jenë funksionale në fillim të vitit të ri shkollor.
KOHA JONË SONDAZH
A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?
Results
Vota totale: 17723

