Artan Lame: Erotikë urbanistike

Nga Artan Lame/Kur austriakët hodhën në kartë idetë e para rreth orientimit që do t’i jepej të aksit të rrugës së Durrësit, (që aso kohe gjarpëronte nëpër tjetër shtrat kur i afrohej Tiranës), ideja e tyre rezultoi “vincente”.

Ata e projektuan që, në aksin e saj, që prej së largu të shihej Kulla e Sahatit, që kështu filloi të fiksohej si një prej simboleve të qytetit.

Në ato kohëra, rruga e drejtë fillonte që nga kthesa e Kasharit dhe, për udhëtarin që kishte rrugëtuar nëpër kthesa midis kodrash deri aty, papritur pas kësaj kthese të fundit i shfaqej përpara tej në horizont qyteti mes gjelberimit dhe në aks atje larg Kulla e bardhë e Sahatit.

Ende sot gati 100 vjet më pas, kjo mrekulli mund të përjetohet, paçka se me disa kushte shtesë: duhet të ketë rënë shi, që të pastrojë ajrin nga pluhuri; nuk duhet të jetë behar i nxehtë, që të mos vibrojë ajri; dhe mundësisht të jetë ditë pushimi, kur lëvizja e mjeteve është e kufizuar. Veçanërisht e dukshme është menjëherë pasi kalon Zogun e Zi.

E tillë është kjo rrugë e gjatë e gjatë, që rasti ka vendosur të jetë fund e krye erotikë, me trekëndëshin e Zogut të Zi në fillim dhe me Kullën e bardhë falike në fund.

Ehhh. Erotikë urbanistike…

SHKARKO APP