Artan Lame: Në regjistrat e pronave të Tiranës mungojnë mijëra faqe. Raporti do t’i dërgohet Edi Ramës
Kreu i Kadastrës Shqiptare, Artan Lame, një nga specialistët më të mirë të vendit, ka prezantuar këtë të shtunë raportin me regjistrat pronësorë në Tiranë, por ka evidentuar problematikat e rënda që ka pasur ndër vite.
Në një konferencë për mediat, Artan Lame tha se nga 2342 regjistra pronash vetëm 250 janë pa dëmtime.
Të tjerat janë grisur apo zëvendësuar, veprime këto që kanë çuar jo pak persona para dyerve të gjykatës për të gjetur të drejtën për pronat e tyre, që shpesh dilnin të regjistruara dhe në emra të personave të tjerë.
Ky raport, tha drejtor i përgjithshëm i Agjensisë Kombetare të Kadastrave Artan Lame, do të dërgohet në Kryeministri dhe në Ministrinë e Drejtësisë për të shmangur “shantazhet dhe presionet që gjobaxhinjtë do vijojnë të bëjnë”.
Mësohet se prokurorisê do ti dërgohen për hetime krejt kjo masakër kadastrale.
“Pas kësaj dite nuk ka më rrëmujë e ndryshime të pakontrolluara.
Arkivi i pronave është me sistem kamerash e sistem alarmi, me punonjës që kanë përgjegjësi e firmë, ka persona përgjegjës për çdo hyrje-dalje.
Raporti i Tiranës do ti përcillet Kryeministrisë e Ministrisë së Drejtësisë për dy arsye. Çdo strukturë kontrolluese të vijojë hetimet mbi bazën e këtij raporti. Për raportin e Durrësit ka hetime, janë thirrur punonjës.
E dyta për të shmangur presionet e lloj-lloj tipave e banditëve, ndërhyrësve, që do vijojnë të kërkojnë “aman të fus këtë e të heq atë”. Kur ky raport është i depozituar dhe në institucione të tjera që të prekësh regjistrat duhet të fusësh njerëz dhe institucione të tjera, gjë që më duket e pamundur”, tha Lame.
“Nga regjistrat 515 faqe mungojnë, janë grisur e as i kanë zëvendësuar.
U mbetet hetimeve për të zbuluar çfarë ka luajtur në këto qindra faqe që nuk ekzistojnë. Me qindra faqe të dyshuara si të zëvendësuara. Them të dyshuara se duket që faqja ndryshon, ngjyra apo formati i faqes, por dhe kjo kërkon hetim për të kuptuar çfarë ka qenë në faqen origjinale.
Janë gjetur faqe të dubluara, pra e njëjta pronë ekziston në dy faqe. Kjo bëhej me qëllim që e njëjta pasuri i trajtohej dhe një qytetari e një tjetri, në fakt ishte një pasuri e vetme e më pas përfundonin në dyert e gjykatave për të vendosur e kujt ishte.
180 faqe të grisura, nuk ekziston faqja në regjistër por duken.
Fenomeni në Tiranë ishte shumë më i madh se në Durrës. Janë 13 mijë faqe bosh brenda në regjistër. E kuptueshme që do të thotë janë lënë faqe bosh se regjistri nuk është plotësuar. Qëllimi ka qenë për ti plotësuar me ato ATP e Rrugës së Kavajës. Pra janë mijëra faqe pronash shtetërore që kanë përtuar fare ti plotësojnë.
Dihet që është pronë shtetërore pra është e paplotësuar, është punë e paguar një herë që duhet ribërë nga Kadastra. Ka dhe ndërrime fletësh sa janë bërë me aq art sa nuk kuptohen menjëherë”, tha më tej Lame.
Zonat me probleme
“Regjistrat e dëmtuar më shumë kanë të bëjnë me pasuritë në zonat në zhvillim si Farka, Kashari, Yzberisht, Mëzez, Baldushk, Ndroq, Pezë Helmes dhe Peza.
Në zonën e Kamëz-Vorë, do veçoja qytetin Kamëz dhe qytetin Vorë, Paskuqan, Valias, Bathore, Laknas, Babrru dhe Domje“, tha Lame.