
Furnizimi me energji elektrike në disa fshatra të Lezhës, përfshirë Zadrimën, Fishtën, Kallmetin dhe Dajçin, është kthyer prej kohësh në një problem serioz për banorët dhe bizneset e zonës.
Ndërprerjet e shpeshta të energjisë vijojnë të jenë pjesë e përditshmërisë, veçanërisht gjatë reshjeve të shiut ose erërave të forta, duke bërë situatën më problematike.
Banorët shprehen se rrjeti i amortizuar dhe mungesa e investimeve janë shkaku kryesor i këtyre problemeve të vazhdueshme.
Pavarësisht përpjekjeve të Njësisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Lezhë për të mbajtur linjat ekzistuese në funksion, amortizimi i rrjetit bën që defektet të jenë të shpeshta dhe të pashmangshme.
Ekspertët theksojnë se zgjidhja afatgjatë do të ishte ndërtimi i një rrjeti të ri elektrik, megjithatë ende nuk është vendosur një afat se kur mund të nisë ky investim.