
Krijimi i një qeverie teknike, garantimi i zgjedhjeve të lira dhe lufta kundër ndikimit të krimit të organizuar në politikë kanë qenë disa nga çështjet e ngritura gjatë diskutimit për Shqipërinë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian (AFET). Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, bëri të ditur përmes një reagimi në rrjetet sociale se gjatë mbledhjes janë adresuar problematikat që lidhen me funksionimin e demokracisë, standardet zgjedhore dhe zbatimin e ligjit në vend.
Sipas Tabakut, shqetësim i veçantë mbetet ndikimi i krimit të organizuar në proceset zgjedhore, i cili, sipas saj, cenon konkurrencën politike dhe mundësinë e rotacionit të pushtetit. Përballë kësaj situate, ajo tha se është kërkuar krijimi i një qeverie teknike si mekanizëm për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Gjatë diskutimit, deputetja demokrate ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi mënyrën se si zbatohet ligji dhe nëse ekziston barazi në trajtimin e qytetarëve dhe zyrtarëve politikë të përfshirë në çështje korrupsioni.
Tabaku solli në vëmendje kontrastin mes trajtimit të politikanëve të akuzuar për korrupsion dhe qytetarëve që protestojnë, duke vënë në diskutim standardet e drejtësisë dhe besimin te institucionet. Në fokus ishte edhe procesi i integrimit europian, ku deputetja theksoi se përparimi i Shqipërisë nuk duhet të matet vetëm me miratimin formal të ligjeve dhe reformave, por mbi të gjitha me zbatimin e tyre konkret.
