Arthur Rimbaud, poeti rebel që shndriti dhe u shua si një meteor

Nga Albert Vataj

Ai nuk ishte vetanaku tragjik në udhën e shpenguar të jetësimit pasionues. Nuk bëri asgjë më shumë ngase mëheret e mëvonë bënë sëmbimet e “kalorësve të ferrit” në natën e llamburitur yjesh të gjenialitetit. Ai, Arthur Rimbaud, shndriti dhe u shua si një meteor. Me penën majëmprehtë ai shkroi lavdinë dhe mohimin, katapultoi eterin dhe u gropos në skutat më të terrta të vetmisë. U lëshua në krahët e potershme të Parisit vullnetlirë dhe ëndrrimtar, sosi si një katolik i devotshëm dhe u kapit si një heretik.

Kujtesë dhe mirënjohje

Arthur Rimbaud, lindi 160 vite më parë, më 20 tetor 1854 në Charleville, provincë e Francës. Prej armatës së fjalës së shpirtit, shkulmit të sentimenteve, drithmave të mishit, Arthur Rimbaud është ndryshe nga të gjithë, krejt tjetërlloj. Gjithqysh, jeta dhe krijimtaria e korifeut të vargut të lirë dhe i figurës poetike, mëtojnë tjetërçka ngase rëndom jemi rrekur të përftojmë nëpër dritëlëshime të jetës dhe aktit solemn të krijimit, ndër autorë, pararëndës dhe dishepuj.

Arthur Rimbaud, nuk ka asnjë mëdyshje në të qenin një poet i famshëm francez, anipse lavdia ishte ajo që e ngjiti në kryq gjithë trazim. Përmasa e lirisë që rroku ai shpirt i regjur dallgëve të pasionit dhe shpengimit e plazmuan në memorin e trashëgimisë së poezisë, si një visar. Gjatë lëvizjes dekadente, ai u ndikuar ngultas përnga letërsia, muzika dhe arti modern, duke mbetur i tillë edhe në maksimësn që la”.. me doemos duhet të jesh modern”. Krijimtaria e Rimbaud spikat për veçantinë e saj dhe kritika e ka konsideruar si shumë origjinale në lëvizjen simbolist.

Kaplimi i “foshnjës shekspiriane”, siç do ta quante Viktor Hygo, rend nëpër një densitet të lartë përjetimesh dhe aventurash. Ai jeton si apostull pasioni në gërmadhat e normave gjaksore të moralit. Në gjithë këtë skenë mëkatimi ka çmos; pije pofund, konsum substancash haluçinative, pasion e perversitet, deri te krismat e armëve, plumba, plagë dhe dergjie pas hekurave. Përreth këtij jetëshkurtëri të famshëm, këtij shpërthimi pararëndës të surrealizmit, një tymnajë anateme dhe brerore hyjnizimi ngrihet.

Arthur Rimbaud e zanafillon me poezinë në kalvarin e adoleshencës, tekave dhe perversiteteve, pasionit dhe marrosjes pariziene, vetëm gjatë 5 viteve (15-20 vjeç). Kësomoshe mëton të mbetet një shpërthim i rrëmetshëm krijues, vezullim i cili shuhet beftas duke lënë nga pas një habi dhe përçmim nga bashkëkohësit, por një mirënjohje dhe dakordësi nga gjeneratat. Ai ishte dritim që feks papritmas dhe kaq tinzisht ikën duke gërryer një gropë të thellë mungese dhe abandonimi.

Ky njeri i shthurur dhe shpirt i shqetësuar, nuk e dha veten asnjëherë. Brodhi pandalim në tre kontinente, armatosur me poliglotin dhe sqimën e sharmantit me vete. Bëri poetin dhe tregtarin, aventurierin dhe nihilistin, zullumqarin dhe tekanjozin, pa mëshiruar aspak dhe pa u ndjerë në pendim. Natyrisht që pjesë e sendërtimit të kësaj embleme të allasojtë të letërsisë francezë dhe të gjëmës së tabuve është marrëdhënia e tij me  simbolistin parizien të poezisë, Paul Verlaine, me të cilin u njoh kur ishte ishte vetëm 17 vjeç, kur ai jepej marrues dhe zotnues, gjithqysh, përmbikrejt me poetin në apogje.

Shpërthimi i meteorit

Në dhjetor të vitit 1873, Arthur Rimbaud i bindet sëmës, për t’u kthyer në vendlindje Charleville. Asokohe shkroi një nga vëllimet e tij më të famshme, “Një stinë në ferr”. Ishte po ajo, nëna, që do ta ndihmonte të botonte librin, libër i cili e ndau nga miqt e tij të letrave, e vrau si poet, e arratisi si shpirt lirie, por pa e vrarë si kumtues. Mohi nuk do të kridhej pa lënë vragë të thella dhe lënguese në shtatin prej kurbani. Kjo bëri që Rimbaud të braktiste i dëshpëruar Parisin dhe te kthehej pranë të dashurve të zemrës në Charleville. I dalldisur nga pezmi i braktisjes, dogji jo vetëm disa dorëshkrime që kishte marrë me vete, por dhe kopjet e vëllimit “Një stinë në ferr”.

Ishin ata, poetët e “Parnasit” që e braktisën. Dhe ai, për 15 vite iku, u zhduk, i’u lëshua Orintet cep më cep, me poetin në zemër, duke u marrë me tregti kafeje, fildishi dhe armësh. Deri në pranverën e vitit 1891, kur dhimbjet e tmerrshme dhe entja e këmbës e zbojnë përdhunshëm nga bota e harrimit, nga parajsa tokësore e indigjenëve. Këtë realitet idilik e prekim dhe e ndjejmë nëpërmjet letërkëmbimeve që Arthur Rimbaud kishte me tëmën, motrën zemërdhemsur Isabelle dhe disa miq të pakët. Ngjyresat e hareshme dhe kumtin flakatar, me të cilën ai vizaton Afrikën e largët, rrëfejnë se me sa dhimbje e brengë u detyrua të ikte pa kthim. Ngarkuar mbi ëndrrën për jetën ai kapërcen përgjithmonë Lumin e Vdekur duke i ikur kancerit vdekjeprurës që mbushi me pezëm e hidhërim dhe duke e lënë më një këmbë.

Deri në mëngjesin e 10 nëntor të vitit 1891, kur ai shuhet në moshën 37-vjeçare. Dy gra me të zeza e përcollën në rrugën e pasosun.

SHKARKO APP