Artur Zheji në emisionin “Të Paekspozuarit”: Ç’të bëjë Europa e shkretë! U hedh lekë “kafshëve të uritura”
Analisti Artur Zheji ka folur për Samitin e Procesit të Berlinit që u mbajt në Tiranë dhe për këtë nismë të Bashkimit Europian për rajonin e Ballkanit Perëndimor. I ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Zheji tha se strategjia e BE është të “hedhë” disa para në këtë rajon, i cili karakterizohet nga probleme të thella, në një përpjekje që vendet tona të mos bëhen problematike për unionin.
“Së pari, çfarë është Ballkani Perëndimor? Vende që kanë probleme ndër-etnike të pazgjidhura. Mali i Zi, ku ka një komunitet shqiptar të keqtrajtuar. Kemi Kosovën e cila doli nga një luftë, u detyrua NATO dhe SHBA, të bombardojnë dhe me probleme ndër-etnike të forta, me spastrim etnik. Kemi Maqedoninë e Veriut, me një prezencë shqiptare kudo shumë të fortë, por të sqaruar relativisht sepse patëm luftën e Ali Ahmetin për të arritur standarte normale.
Kemi Bosnje-Hercegovinën me problem të madh atje. Edhe Serbia. Padyshim edhe Shqipëria. Pra janë vende me shumë probleme, të cilat pa qepur barkun e tyre të shqepur nga zorrët e marrëdhënieve ndër-etnike, grabitja, zhvatja, trafiku i drogës, të gjithë këto lloje trafiqesh, nuk mund të kalojnë në standartin minimal, për të hyrë në një negociatë që quhet Bashkimi Europian.
Nga ana tjetër, duke qenë se janë vende europiane, është problem i madh. Pra, ka një ndërthurje të madhe. Serbia është ndërmjet Moskës dhe Brukselit. Thënë këto, ka qenë sforco fisnike për ta mbajtur një tufë vendesh me shumë probleme, në një oborr normaliteti, të mos çmenden, vriten, kafshohen, mos të bëhen tmerri i Europës. Ky është një proces i gjatë.
Kur ka uri për zgjidhje ndër-etnike, kur ka uri për zgjidhje të një normaliteti politik minimalist, atëherë Europa e shkretë çfarë të bëjë? Hedh lekë, thonë këta janë ca, “kafshë të uritura”, t’ju japim të hanë! Sepse kur hanë, janë më të qeta. Janë vende që janë fuçi baruti. Në zhargonin e tyre ne quhemi vende, akoma me probleme në emancipimin e thellë. Na japim lekë që të mund të normalizohemi. Mendoj që Baronesha Von der Leyen, foli për një çek 30 miliardë euro. Nxorri një kockë të madhe, një premio, se kush sillet mirë, hidhet gjëja.
Ky është buxheti që ka BE dhe është një buxhet shumë i madh, nuk e di se për sa vite bëhet fjalë, por menjëherë dolën te lekët. Prandaj erdhi Baronesha, tha lekët janë kaq, silluni mirë! Mendoj që në këtë optikë, ata kanë si pikësynim, na kanë dhënë lekë ose na kanë premtuar lekë, në mënyrë që të zbusin egërsinë ballkanike”, tha Zheji.