Artur Zheji: Nexhmije Hoxha e mbylli jetën në mënyrë koherente
Drejtuesi i emisionit “360 gradë” Artur Zheji thotë se Nexhmije Hoxha e mbylli jetën e saj në mënyrë koherente.
Në studion e lajmeve në RTV Ora, me gazetaren Beti Njuma, Zheji u shpreh se ajo qëndroi koseguente me mëkatin e vet.
Artur Zheji: Rasti i Nexhmije Hoxhës është ndryshe. Unë mendoj që më mirë një personazh e cila e mbyll jetën e vet në mënyrë koherente. Pra të qenit e papenduar, sado paradoksale të duket e bën atë koseguente me mëkatin apo me krimin e vet, ndryshe nga të penduarit e kohës së fundit, të cilët nga komunistë të devotshëm apo pinjollë të komunizmit, pastaj u bënë antikomunist për të marrë të mirat që sjell një kohë më e re. Të paktën mund të themi që qëndroi koseguente dhe në koseguencën e saj na dha mundësinë që të shohim një gjymtyrë të diktaturës ashtu si ishte, kokëfortë, e bindur në të drejtën e padrejtësisë së saj deri në fund.
Sipas Zhejit e keqja nuk është Nexhmije Hoxha, por tek ata që shndërruan sistemin. Sipas tij, ata janë pinjollë të komunizmit.
Artur Zheji: Në këtë këndvështrim nuk e shoh këtu të keqen e saj. Të keqen e shoh të ata që kaluan në metamorfoza të menjëhershme, bënë një ndërrim regjimi, në një regjim mediokër dhe ne akoma nuk kemi dalë nga ndarja në dy kampe kryesore, mes një të majte radikale që qëndron në prapavijë të një të majtë që del në fasadë dhe një të djathtë që është trashëgimtare e të shtypurve të diktaturës së dikurshme, por e manipuluar nga xhunglerë, që bëjnë sikur janë të djathtë, por të djathtë nuk janë.