Artur Zheji: Rama ka një problem të madh, nuk dëgjon të tjerët

 

Artur Zheji ka bërë sot një shkrim për sulmin që iu bë kryeministrit Rama me vezë.
 
Ai thotë se ai ishte një akt simpatik, por vetëm kaq.
 
Por, sipas Zhejit, ato vezë duhet të jenë një sinjal për Ramën, pasi ai ka një problem të madh, që nuk i dëgjon të tjerët.
 
“Ato vezë të hedhura nga studentët simpatikë, janë dhe duhet të jenë, sinjale të rëndësishme dhe direkte për Kryeministrin.
 
Sepse përtej faktit që kemi një kryeqeveritar që flet mirë e bukur dhe shpesh shkoqit me sukses dhe plot surpriza e kalambure gjuhësore, edhe tema mjaft të koklavitura, duke krijuar një standard të ri komunikimi, Kryeministri duhet të mprehë e të ushtrojë, me durimin që dukshëm i mungon, Artin e të Dëgjuarit.
 
Artin dhe Zejen e të Dëgjuarit, të të gjitha pjesëve të Popullit të vet, qoftë ky edhe “laraman” apo “shejtan budalla”, si edhe të atyre, që edhe nëse nuk e duan, apo ai, Kryeministri nuk i Do dhe nuk i Beson, duan fort, Atdheun e tyre.
 
Sepse, edhe nëse Kryeministri nuk të do, apo edhe nëse dikush nuk e do, dhe nuk e beson këtë kryeqeveritar, raporti kryesor është me vendin ku të gjithë jetojmë.
 
Qeveritë shkojnë e vijnë, Shqipëria mbetet. Por si mbetet? Kjo është Çështja!
 
Sepse jam i bindur që ata, Studentët e Vezëve, sot për sot, dhe përpara se sa të kanalizohen në ndonjë lëvizje politike, falë edhe famës së shpejtë që fituan, e duan Shqipërinë. Në mos shumë më shumë, të paktën po aq, sa policët që i ngritën prej teshash, drejt e në komisariat. Por sigurisht, ata, në mënyrën e tyre, ndoshta naive dhe postfëminore, e duan Shqipërinë e përfytyrimeve të tyre, shumë më shumë, se sa turma e aparatçikëve që rrinë si zogj apo zoçka në furrikun e zyrave të ngrohta të qeverisë, të bashkive apo të ndërmarrjeve shtetërore, shpesh Asgjëbërëse”, shkruan Zheji te Mapo.

SHKARKO APP