Asnjë sinjal për shtrëngim masash/Manastirliu: Me vaksinat AstraZeneca, prioritet kemi mësuesit

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu në seancën e së hënës në Kuvend, foli ndër të tjera në lidhje me situatën e pandemisë në vendin tonë, duke sqaruar se nuk është verifikuar ende prezenca e varianteve të reja. Manastirliu tha se me dozat e vaksinës AstraZeneca, do të përdoren për të vaksinuar mësuesit.

Prezenca e varianteve të reja kushtëzon dhe masat e pandemisë. Ende nuk është verifikuar prezenca, por ne kemi dyshime se variantet e reja qarkullojnë dhe shpejtësia e përhapjes e bën të vështirë edhe kontrollin e pandemisë nëse nuk shoqërohet me bashkëpunimin e çdo qytetari. Vaksinimi i popullatës është objektivi ynë i përbashkët. Po vaksinojmë çdo ditë dhe me ritëm. Sot kemi më shumë jetë të mbrojtura të mjekëve në spitale ndërkaq që vaksinimi i kombinuar për moshat +80 vjeç po vijon. Do të vijojë vaksinimi dhe presim nga instrumenti i Covax që të mbërrijnë 14,440 vaksina të AstraZeneca me të cilat do të fillojmë kalendarin e vaksinimit duke pasur prioritet mësuesit në mënyrë që të kemi ecuri të mirë të edukimit të fëmijëve dhe mbrojtjes së mësuesve”,-tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se janë ulur infektimet, por në asnjë moment nuk përmendi shifrat rekord të humbjeve të jetës. Ogerta Manastirliu pranoi se situata po del jashtë kontrollit për shkak të pranisë së varianteve të reja, ndërsa thekson se sjellja e qytetarëve është e rëndësishme në këtë periudhë.

”Parandalimi mbetet kyç. Komiteti i Ekspertëve po analizon situatën dhe po vlerëson një qasje shumë të kujdesshme. Kemi dy javë që kemi forcuar masat kufizuese. Sigurisht, prezenca e varianteve të reja kushtëzon masat e pandemisë, kemi dyshime se qarkullojnë variante të reja dhe bëhet i vështirë kontrolli i situatës pa bashkëpunimin e qytetarëve”, tha Manastirliu.

Ministrja po ashtu theksoi se e konsiderojnë plan ambicioz që kanë arritur të garantojnë 1.6 milionë doza vaksina dhe po punojnë për të garantuar kontrata të tjera dypalëshe. Ndër të tjera Manastirliu tha se pritet që procesi i vaksinimit për ekipet shëndetësore të përfundojë brenda 2 javëve të para të marsit. ”Kemi vaksinuar më shumë se 11 mijë stafe mjekësore dhe po vijojmë për ta përmbyllur vaksinimin e ekipeve tona shëndetësore brenda 2 javëve të para të marsit. Duam të përfundojmë planet tona për vijimin e vaksinimit”,-tha ministrja.

SHKARKO APP