Atentat me armë zjarri në Durrës. Një i vrarë dhe një i plagosur

Një person ka mbetur i vdekur dhe një i plagosur, pas një atentati me armë zjarri mbrëmjen e së martës, në qytetin e Durrësit. Ngjarja ndodhi në pjesën e jashtme të njërit prej lokaleve pranë Ujësjellës-Kanalizimeve Durrës.

Si rezultat i të shtënave me armë zjarri mbeti i plagosur rëndë një shtetas i identifikuar me inicialet A. K., i cili iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në spitalin rajonal, por pa mundur t’u mbijetojë plagëve. I plagosur në vendin e ngjarjes ka mbetur edhe një 34-vjeçar, me inicialet B. K., i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, që po punon për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa forca të shumta policie janë vënë në lëvizje për të identifikuar e kapur autorët. Nga hetimet paraprake rezulton se, ngjarja kriminale ka qenë e çastit, pas një konflikti për motive të dobëta në lokal.

SHKARKO APP