Atentat në mes të lokalit tek Lungomare në Vlorë
Një atentat është shënuar në qytetin e Vlorës, ku një person ka mbetur i plagosur rëndë. Atentati ka ndodhur në ambientet e një lokali në zonën e shëtitores së Lungomares. Ka pasur katër të shtëna me armë zjarri, ku për pasojë një person, identiteti i të cilit ende nuk dihet, ka mbetur i plagosur. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes, pritet të japë detaje mbi këtë ngjarje të fundit.
Sipas informacioneve paraprake, disa persona kanë qenë në një lokal, kur pranë tyre kanë mbërritur të tjerë persona dhe kanq qëlluar me armë. Autorët janë larguar me një automjet dhe kanë marrë drejtimin mes rrugicave në blloqet e pallateve që ndodhen në zonë.
Pas ngjarjes, policia ka gjetur të djegur një automjet në zonën e Babicës, në periferi të qytetit bregdetar, që dyshohet të jetë i autorëve të atentatit. Në shëtitoren mjaft të frekuentuar nga qytetarët e Vlorës, është përhapur panik, ndërsa mësohet se kanë qenë vetë banorët që kanë njoftuar të parët policinë e Vlorës pasi kanë dëgjuar të shtënat me armë. Bizneset në këtë zonë kryesisht janë të pajisur me kamera sigurie dhe pritet të shihet nëse në filmime do të jenë pikasur autorët e kësaj ngjarje.
KOHA JONË SONDAZH

