Atentati, flet djali i Bejtjes. Lirohen ”të fortët e Niklës”, ende krimi pa autor

Vëllezërit Durim e Valter Bami dhe Marklen Haka janë liruar mëngjesin e sotëm nga policia. Ata u shoqëruan dje për t’u marrë në pyetje si persona që mund të kishin dijeni për atentatin ndaj Gentian Bejtjas, ku mbeti i vrarë kunati i tij Ramazan Sino si edhe u plagosën dy fëmijët e mitur. Pasi dhanë deklarimet për disa orë me radhë dhe veçmas njëri-tjetrit ata janë lënë të lirë nga Policia e Krujës.

Policia e Krujës dhe Tiranës kanë vijuar me shoqërimin e personave të tjerë në kuadër të hetimeve që po kryhen për atentatin në Larushk. Deri më tani janë shoqëruar 10 persona. Ata janë marrë në pyetje dhe do merren të tjerë në cilësinë e personave që kanë dijeni për ngjarjen.

Të shtënat me breshëri i morën jetën kunatit të Gentjan Bejtjas ndërsa lanë të plagosur dy djemtë e tij 10 dhe 13 vjeç të cilët fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Sipas ”A2cnn”, Policia ka arritur të marrë dëshminë e njërit prej fëmijëve, i cili ka pohuar te hetuesit se babai i tyre ka qenë në automjet me ta, duke konfirmuar kështu se 42-vjeçari ndodhet ne Shqipëri.

SHKARKO APP