Atentati me bombë, Preng Gjini ishte kthyer për 1 vjetorin e vrasjes së vëllait

Preng Gjini mbeti i plagosur teksa po drejtonte një automjet që e kishte marrë ”hua” dhe prokuroria ka bindjen se krimi është kryer për hakmarrje. Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale gjendja e të plagosurit konsiderohet nga mjekët në parametra stabël. Shënjestra ishte kthyer në Shqipëri për të kujtuar përvjetorin e vrasjes të të vëllait, Tonin Gjini i vrarë gushtin e kaluar. Preng Gjini rezulton të jetë marrë në pyetje pas vrasjes se Kastriot Reçit, i eliminuar me snajper në Rrëshen.

Ditën e shpërthimit të ndodhur në kryeqytet dhe në një zonë të populluar, Preng Gjini telefonoi kushëririn e tij në kryeqytet dhe i kërkoi makinën e tij. 51-vjeçari u afrua pranë vendngjarjes duke zbritur nga mjeti i tij ku ishte pasagjer dhe pasi piu kafe me kushëririn mori drejtimin e mjetit tjetër që shpërtheu disa metra më tej. E gjitha kjo përforcon dyshimet se shënjestra ndiqej prej javësh dhe autorët kishin informacion për përdorimin stafete të mjeteve.

Burimet tregojnë se lënda plasëse mund të jetë aktivizuar përmes një pulti ndaj agjentët po këqyrin çdo kamere sigurie pasi dyshojnë se autori ka qenë brenda perimetrit. Është marrë dëshmia e kushëririt të Gjinit, që rrëfen momentet para shpërthimit, kurse i plagosuri pritet të pyetet në spital menjëherë sapo gjendja e tij shëndetësore të përmirësohet.

SHKARKO APP