Atentati me dy viktima në Dukagjin, Bashi rrëfen momentet e tmerrit: Eca 2 kilometra i plagosur
Një dëshmi e fortë ka dalë në dritë pas atentatit të armatosur në Dukagjin, ku humbën jetën babë e bir, Prelë dhe Lekë Gjoni, ndërsa mbeti i plagosur Lazër Bashi. Ai ka rrëfyer para grupit hetimor momentet e sulmit. Sipas dëshmisë së tij, autorët hapën zjarr me breshëri nga dy armë, ndërsa ai ndodhej në pjesën e pasme të automjetit.
Për t’u shpëtuar plumbave, ai është shtrirë në pjesën e pasme të fuoristradës. Një plumb e ka goditur në shpatull. Pas largimit të autorëve, Bashi ka qëndruar për disa minuta i fshehur në automjet, përpara se të dilte dhe të niste të kërkonte ndihmë. I plagosur dhe me humbje të konsiderueshme gjaku, ai ka ecur për rreth 40 minuta, në një distancë prej afro 2 kilometrash.
I mbijetuari ka arritur pranë një lokali, në zonën ku kryqëzohen rrugët e Pultit dhe Shoshit, aty ku kishte sinjal telefonik. Më pas, ai ka ndaluar pranë një çezme, ku ka pastruar plagën dhe ka pritur transportin drejt Spitalit Rajonal të Shkodrës. Për shkak të gjendjes së tij dhe humbjes së madhe të gjakut, Bashi është dërguar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë. Aktualisht, ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia dhe Prokuroria e Shkodrës po vijojnë hetimet, ndërsa disa persona janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje. Një nga pistat e hetimit lidhet me mundësinë e ndonjë konflikti të mëparshëm të familjes Gjoni. Lekë Gjoni punonte me kamion, duke transportuar materiale ndërtimi, ndërsa kishte edhe një eskavator në zonën e Dukagjinit. Hetuesit po përpiqen të zbardhin motivin e sulmit dhe të identifikojnë personat që qëlluan ndaj automjetit.
KOHA JONË SONDAZH

