Atentati ndaj Arjan Ndojit dhe “Rrumit”, SPAK kërkon 7.4 vite burgim për Ramazan Rrajën
Gjykata e Posaçme ka pranuar gjykimin e shkurtuar për Ramazan Rrajën, Bashkim Haxhian, Gent Ndërjakun, Endrit Sinanin dhe Julian Pjetrin, të akuzuar për sigurim kushtesh për të kryer vrasjen e ish-prokurorit Arjan Ndoja dhe Aleksander Lahos alias Pëllumb Muharremi, i njohur si Rrumi i Shijakut.
Atentati u regjistrua më 1 nëntor të vitit 2019 tek mbikalimi i Shkozetit, teksa në atë ngjarje mbeti i vrarë Andi Maloku, shoferi i ish-prokurorit Arjan Ndoji, teksa ky i fundit bashkë me “Rrumin” mbetën të plagosur rëndë.
Sipas SPAK, ata nga gushti i 2019 kanë nisur ndjekjen, e Ndojës dhe Lahos dhe kanë siguruar armët dhe automjetet për të kryer vrasjen. Po ashtu sigurim kushtesh për të kryer eliminimin e Arjan Ndojt dhe Aleksandër Lahos edhe pas atentatit të 1 nëntorit të 2019.
Në të njëjtën seancë SPAK ka paraqitur dhe konkluzionet përfundimtare duke dhënë pretencën për të akuzuarit, më konkretisht ka kërkuar:
Ramazan Rraja: U kërkua dënimi me 11 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet dënimi në 7 vite e 4 muaj burg
Genti Ndërjaku: U kërkua dënimi me 9 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet dënimi në 6 vite burg
Bashkim Haxhia: U kërkua dënimi me 8 vite burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet dënimi në 5 vite e 4 muaj burg
Julian Pjetri: U kërkua dënimi me 7 vite e 6 muaj burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet dënimi në 5 vite burg
Endrit Sinani: U kërkua dënimi me 7 vite e 6 muaj burg, për shkak të gjykimit të shkurtuar i ulet dënimi në 5 vite burg
Për të njëjtin atentat është dënuar më herët me burgim të përjetshëm Redjan Rraja, kushëri i Ramazan rrajës, i cili dyshohet se ka qenë në rolin e ekzekutorit, ndërsa është dënuar me 35 vite burg edhe Arjol Halilajn, i cili sipas SPAK ka pasur rolin e ndihmësit për të larguar autorët nga vendi i ngjarjes.
Atentati ndaj “Rrumit” dhe ish-prokurorit Arjan Ndoji dyshohet se është porositur nga Plarent Dervishaj për hakmarrje, teksa dyshohet si i përfshirë dhe Julian Meçe, të deportuar së fundmi nga Dubai.